Sofje, 25 shkurt – Ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva sot në një intervistë për televizionin bullgar “BTV” e konfirmoi se gjatë takimit të djeshëm në Sofje, plani i përbashkët i veprimit dhe konferenca e ardhshme ndërqeveritare ishin temat e diskutuara me homologun e saj, ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Zaharieva, e cila dje, siç njoftoi Ministria bullgare e Punëve të Jashtme, pas takimit e konfirmoi mbështetjen parimore të Sofjes për integrimin evropian të Maqedonisë të Veriut, duke përmbushur kushtet e duhura, sot për “BTV” deklaroi se Bullgaria nuk do të nënshtrohet presionit nga ana e Maqedonisë së Veriut.
Zaharieva sot me qëndrimin se nuk ka marrëveshje në lidhje me historinë, disa figura kryesore historike dhe përmbajtjen e librave shkollorë nga mesjeta.
Siç njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Sofja, Zaharieva e konfirmoi se gjatë takimit të djeshëm me Osmanin në Sofje, ata e diskutuan konferencën e ardhshme ndërqeveritare, por shtoi se data e takimit duhet të njoftohet nga të dy vendet.
“Bashkimi Evropian nuk funksionon si Jugosllavia, por në një mënyrë tjetër dhe ne po ia tregojmë këtë Republikës së Maqedonisë të Veriut që nga viti 2019. Ne nuk kemi përshtypje se ata presin ndryshim të Qeverisë”, tha Zaharieva.
Ajo informoi se në takimin me Osmanin ata diskutuan planin e veprimit, të cilin autoritetet në vend e kanë përmendur vazhdimisht se është në fazën përfundimtare.
“Shpresoj se deri tani do të arrijmë marrëveshje mbi protokollin e vlerësimit të zbatimit. Në seancën e ardhshme duhet të miratohet protokolli për raportin e Komisionit. Ata do të kenë përsëri një takim sot dhe nesër”, tha Zaharieva, sipas së cilës deri më tani nuk ka asnjë rezultat.
Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë kumtoi dje se Zaharieva është takuar me kërkesë të Osmanit, i cili ishte në udhëtim tranzit përmes Bullgarisë.
“Gjatë takimit të tyre joformal u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë të Veriut dhe sfidat me të cilat përballemi gjatë pandemisë Kovid-19”, thuhet në kumtesë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Zaharieva në takim e riafirmoi mbështetjen parimore të Sofjes për integrimin evropian të Maqedonisë të Veriut, duke përmbushur kushtet e duhura.
“Të dy ministrat e rishikuan punën e përbashkët për të përmbushur detyrimet e Marrëveshjes së Miqësisë të vitit 2017 dhe diskutuan thirrjen e ardhshme për konferencën ndërqeveritare e cila do të mbahet kur të dy palët të miratojnë propozim-protokollin. Pala bullgare theksoi se në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2017, në takimin e ardhshëm të Komisionit të përbashkët ndërqeveritar, duhet të bëhet rishikim i plotë i zbatimit të Marrëveshjes, të miratohet raporti vjetor për punën e Komisionit të përbashkët multidisiplinar të ekspertëve për çështjet e historisë dhe arsimit, dhe të orientohen aktivitetet konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen”, shtohet në kumtesë.
Sipas MPJ-së bullgare, të dy ministrat shprehën kënaqësinë me tonin konstruktiv të bisedimeve në mes tyre dhe diplomatëve të dy ministrive dhe rishikuan punën në projekte konkrete që do të përmirësojnë marrëdhëniet në mes dy vendeve.