Sofje, 15 tetor – Bullgaria është kundër ndarjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut gjatë fillimit të negociatave për anëtarësimin e të dyja vendeve në BE, deklaroi shefja e diplomacisë bullgare Ekaterina Zaharieva pas takimit me ministrin shqiptar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Gent Cakaj.
Zaharieva theksoi edhe se “pakica bullgare është edhe një mundësi që Bullgaria duhet ta shfrytëzojë për t’i ndihmuar Shqipërisë”.
“Bullgaria është e gatshme ta mbështesë me mësues dhe tekste shkollore në mësimin e gjuhës bullgare të pakicës sonë në Shqipëri”, deklaroi Zaharieva.
Zaharieva dhe Cakaj në takim kanë biseduar për integrimin evropian të Shqipërisë dhe për mundësitë për përforcim të bashkëpunimit dypalësh në fushën e transportit, ekonomisë dhe turizmit, transmeton BGNES.