Shkup, 26 nëntor – Ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva sot në intervistë për Efe deklaroi se Bullgaria do ta bllokojë fillimin e bisedimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian derisa nuk i jepet fund “gjuhës së urrejtjes drejtë çdo gjëje që është bullgare”, informon BGNES.
Sipas Zaharievës marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet t’u ngjajnë marrëdhënieve mes Spanjës dhe Amerikës Latine.
“Problemi me historinë është që interpretimet e gabuara dhe të rrejshme të ngjarjeve, njerëzve dhe ndodhive kanë ndikim direkt ndaj ndodhive aktuale dhe kjo krijon gjuhë të urrejtjes dhe fushatë negative kundër Bullgarisë dhe bullgarëve, diçka që absolutisht është e palejueshme për ne”, tha ajo.
Zaharieva akuzoi elitën politike maqedonase se “i kanë kaluar 30 vitet që nga pavarësimi nga Jugosllavia që ta stimulojnë dhe tolerojnë atë gjuhë të urrejtjes, diçka që në kuptim përfundimtar ndikoi te qytetarët e rëndomtë të vendit”.
“Bullgaria asnjëherë nuk e ka mohuar të drejtën e ekzistimit të shtetit maqedonas, sovranitetin e tij dhe dëshirën që ta quajnë gjuhën, siç dëshirojnë. Por e gjithë kjo nuk duhet të ndodh me ndihmë të gënjeshtrave dhe me mohimin për atë se si është krijuar kombi”, shtoi Zaharieva.
Ajo si shembull e përmend Amerikën Latine. “Fakti që argjentinasit dhe kilianët flasin gjuhën spanjolle nuk i bën më pak argjentinas dhe kilianë. Fakti se ata kanë pasur histori të përbashkët deri në një moment nuk e ul sovranitetin e tyre sot. Përkundrazi kjo i bashkon”, konsideron Zaharieva.
Shtoi se si Spanja është mbështetësja më e madhe e asaj që BE-ja të ketë marrëdhënie më të afërta me vendet e Amerikës Latine, ashtu edhe Bullgaria ishte shteti i parë, i cili e pranoi pavarësinë e Maqedonisë në vitin 1991 dhe e ka vendosur çështjen e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë kryesimit bullgar në vitin 2018.
Ajo përsëri kritikoi palën maqedonase se nuk e respekton Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë. Sipas saj që nga hyrja e vendit në NATO, është vërejtur ngadalësim në të gjitha sferat e bashkëpunimit, nga ekonomia, deri në infrastrukturë, arsim.
Zaharieva tha edhe se Bullgaria po frikësohet nga pretendimet territoriale maqedonase dhe zërat se në Bullgari ka pakica maqedonase, gjë të cilën e barazoi me irredentizëm.
Në pyetjen se a kanë mirëkuptim partnerët evropianë për pozicionin bullgar, Zaharieva tha se edhe Greqia në të kaluarën nuk kuptohej.
Shtoi se pozicioni bullgar është që në kornizën e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut të përfshihen tri pika të posaçme: formulimi për gjuhën zyrtare të Maqedonisë së Veriut, udhërrëfyes për realizimin e Marrëveshjes së vitit 2017 dhe heqjes dorë të Shkupit nga pretendimet për ekzistimin e pakicës maqedonase në Bullgari.