Në Zagreb politikanët pranojnë sfidat që dalin nga zgjedhjet dhe kundërshtarin politik e trajtojnë si partner, ndërkohë që në Prishtinë më tepër zgjat hallakama negocuese për formimin e Qeverisë se vetë procesi zgjedhor, kurse kundërshtari politik ende trajtohet si armik i egër
Nga Emin AZEMI
Veprat e Mozartit, Wagnerit, Verdit, Beethovenit, Lisinskit, i bën bashkë të enjten në Zagreb krerët më të lartë të Bashkimit Europian (kryetari i porsazgjedhur i Këshillit të Europës Charles Michel dhe kryetarja e Komsionit Europian Ursula Von der Leyen ) dhe të Kroacisë në një koncert të muzikës klasike në HNK për të shënuar solemnisht fillimin e kryesimit të Këshillit të Europës nga ana e Kroacisë.
Në gjashtë muajt e ardhshëm Zagrebi do të jetë epiqendra politike e Europës, kurse koncerti i mbrëmshëm i dha një shkëlqim shtesë rolit që do të ketë Kroacia në muajt në vijim.
Një popull me kulturë të zhvilluar politike dhe me udhëheqje që nuk abuzon me besimin e votuesve, janë pjesë logjike e një tërësie civilizuese siç është Europa, e cila asgjë nuk ka më tepër se sa ajo që u shfaq mbrëmë në Zagreb.
Në anën tjetër, tre muaj pas zgjedhjeve nacionale në Kosovë, dy partitë fituese (LVV dhe LDK) nuk po munden të gjejnë gjuhë të përbashkët për formimin e kabinetit të ri qeverisës, gjegjësisht ndarjen e posteve ministrore.
Në Zagreb kroatët demonstrojnë kulmin e civilizimit evropian, kurse në Prishtinë politikanët zvarriten korridoreve dhe bëhen gazi i botës me paaftësinë e tyre për të shpie në vend vullneti e votuesve.
Në Zagreb politikanët pranojnë sfidat që dalin nga zgjedhjet dhe kundërshtarin politik e trajtojnë si partner, ndërkohë që në Prishtinë më tepër zgjat hallakama negocuese për formimin e Qeverisë se vetë procesi zgjedhor, kurse kundërshtari politik ende trajtohet si armik i egër.
E kemi ditur se Kroacia është shumë afër standardeve për të qenë edhe kryesuese e BE-së, por nuk e kemi ditur që Kosova mund të bie kaq poshtë , duke u bërë kampione e intrigave politike dhe inateve primitive.
Një vendi i duhen politikanë që natë e ditë janë pranë halleve të qytetarëve, e jo politikanë që bëjnë karrierë duke keqpërdorur besimin e qytetarëve. Kroacia mund të merret si shembull, e cila për një kohë të shkurtër arriti të përfitojë besimin e elitave politike evropiane përmes punës përkushtuese në përmbushjen e kritereve që e bëjnë si shtet të konkurrueshëm në disa fusha.
Kosova doli nga një periudhë e errët e regjimit serb në një shteg të hapur, ku bashkësia ndërkombëtare investoi miliarda për të vendosur standarde. Gjatë periudhës së pasluftës deri në ditët e sotme, Kosova pati ngritjet dhe rëniet e saja. Konsolidimi institucional ndoqi një linjë të butë të reformave, ku dominoi prirja për partizimin e dikastereve të caktuara. Një administratë jo e profesionalizuar nuk mund të gjenerojë motivim shoqëror dhe kjo është detektuar edhe nga investitorët e huaj, të cilët ngurrojnë të derdhin kapitalin e tyre në një ekonomi që ende kontrollohet nga akrabatë e kryeministrave.
Derisa Zagrebi po i mban shtruar qilimat e kuq për krerët politik të Brukselit, Prishtina në anën tjetër po i numëron ditët e dështuara të negociatave për formimin e Qeverisë së re. (koha.mk)