Zagreb, 14 maj – Intensiteti i erës që ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në Zagreb ka rënë, ndërsa reshjet vazhdojnë në Kroaci. Në pjesë të BeH-së, situata është kritike për shkak të përmbytjeve, ku vazhdon kërkimi për një fëmijë gjashtëvjeçar, i cili ra në një përrua.
Të gjitha shërbimet kompetente në Zagreb u angazhuan për të riparuar problemet e shkaktuara nga era e fortë, e cila në mëngjes është dobësuar pak. Gjatë natës, zjarrfikësit e Zagrebit kishin mbi 460 ndërhyrje.
Intensiteti i erës ka rënë gjithashtu në Bosnjë dhe Hercegovinë, por shiu nuk ndalet. Disa vende janë përmbytur dhe disa prej lumenjve në Kroaci dhe BeH pritet që të arrijnë kulmin e rritjes së nivelit të ujit.
Në vendin e quajtur ” Hani i Begut” pranë Zhepçes sot një djalë gjashtëvjeçar ra në një përrua, niveli i ujit i të cilit u rrit si rezultat i shirave të dendura. Nëna e tij u hodh për ta shpëtuar, por pa sukses. Me një ambulancë, nëna u transferua në një spital ndërsa një njësi speciale e policisë është e angazhuar në gjetjen e fëmijës.
Përndryshe, gjendja e zonave të përmbytura në BeH gradualisht po normalizohet, por mbetet e vështirë në zonën e Priedorit dhe Sanski Most, ku dalja nga shtrati e Sanës vazhdon të kërcënojë rreth njëqind objekte banimi dhe biznesi. Sipas të dhënave nga paraditja, Sana në Priedor ka arritur nivelin prej 460 centimetrash, që është kota e mbrojtjes së jashtëzakonshme nga përmbytjet.
Shirat e dendur në BeH kanë shkaktuar përmbytje në veri dhe në pjesët qendrore të vendit, ku vende të caktuara janë izoluar, ndërsa qytetarët raportojnë probleme me furnizimin me ujë dhe me energji elektrike, përcjellë KOHA.
Një përkeqësim dramatik i situatës u vërejt në zonën e Banja Lukës dhe Dobojit, ku lumenjtë Vërbanja dhe Vërbas kërcënojnë popullatën lokale.
Në rajonin e komunës Dërvari Lindor, sot në mëngjes ka rënë borë, duke formuar një shtresë prej disa centimetrash. Autoritetet komunale informojnë se rruga e cila lidh Dërvarin Lindor dhe Dërvarin në disa vende është e dëmtuar.
Në Serbi, në fuqi është alarmi portokalli, por tani për tani nuk ka rrezik nga dalja e lumenjve. Përfundimi i Shtabit të Beogradit për Situata të Jashtëzakonshme është se nuk ka rrezik të përmbytjeve në kryeqytetin serb.
Në Malin e Zi, nuk ka rrezik të përmbytjeve, tha meteorologu Dushan Paviçeviç, duke shtuar se të premten pritet stabilizim i motit dhe rritje e temperaturave.(koha.mk)