Për ata që tashmë e kanë vizituar kryeqytetin e Republikës së Kroacisë, sidomos ata që në Zagreb kanë qëndruar në kohët e kaluara politike, gjërat mund të duken se nuk kanë ndryshuar shumë. Në pamjen e parë, fytyra e qytetit – ndërtesat, sheshet, rrugët, por edhe njerëzit – duken njëjtë si dikur, para tri-katër dekadash.
Një numër restoranesh e dyqanesh të viteve ‘70 e ’80 të shekullit të kaluar janë ende aty, ndërsa nëpër shitoret dhe kafeteritë e shpërndara në të dyja anët e rrugës qendrore “Ilica” ende dominojnë firma të njohura që nga kohët jugosllave, prej prodhuesit të çokollatave “Krash” dhe atij të kafesë “Franck”.
Ata që e kanë vizituar Zagrebin në vitet ‘80 të shekullit të kaluar – ato vite në prag të luftërave jugosllave përmbyllja e të cilave nisi me pavarësimin e Sllovenisë dhe Kroacisë dhe u përmbyll me pavarësimin e Kosovës – nuk kanë si t’i shmangen ndjenjës se kanë udhëtuar prapa në kohë; gjithçka në qendrën e qytetit duket pothuajse njëjtë si 30 vjet më parë, shkruan sot Koha Ditore.
Shumë rrugë madje kanë edhe emrat e njëjtë, ndërsa edhe ato të cilave u janë ndërruar emrat nuk e kanë ndryshuar fort dukjen. Sheshi qendror i Ban Jelaçiqit dhe rrugicat rreth tij mbeten shëtitorja kryesore e qytetit, e vendosur nën zonën më joshëse turistike – kodrën maje së cilës qëndron pjesa më e vjetër e qytetit, Gradeci (që ndryshe quhet edhe Griç) dhe e cila bashkë me zonën rreth Katedrales së Zagrebit, Kaptolin, është zanafilla e qytetit që historia thotë se ekziston më shumë se një milenium, dhe që statusin e qytetit të pavarur mbretëror e ka marrë në vitin 1242 nga mbreti kroato-hungarez, Bela IV.
Ndër shekuj Zagrebi është rritur si qytet, ndërsa gjatë historisë shfaqet si një nga qendrat e mbretërive të ndryshme kroate, apo edhe si qendra e territorit të pushtuar nga të huajt, prej të cilëve periudha që ka lënë më së shumti ndikim që edhe sot vërehet është ajo e sundimit austro-hungarez.
Republika e sotme e Kroacisë është shpallur e pavarur më 25 qershor 1991 në kufijtë e Republikës së Kroacisë, që ishte pjesë e Jugosllavisë socialiste. Vendi ka mbi katër milionë banorë, prej të cilëve gati një e katërta jetojnë në Zagreb. Prej 1 korrikut 2013, Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian.
“Vjena e vogël”
Zagrebi vazhdimisht është konsideruar të jetë edhe qendër kulturore dhe artistike e gjithë rajonit. Që nga koha kur këto territore ishin pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, kryeqyteti kroat mbiquhej “Vjena e vogël”.
Edhe sot, arkitektura dhe infrastruktura e qytetit dominohen nga ndërtimet austro-hungareze. Pallatet e shumta perandorake “dekorojnë” anët e rrugëve të qendrës së qytetit, nëpër të cilat kalojnë tramvajet modernë elektrikë, pasardhës të karrocave të mëdha me kuaj, që në Zagreb janë përdorur si transport publik prej fundit të shekullit 19-të.