Shkup, 25 prill – Kryeministri Zoran Zaev ju bën thirrje të rinjve të shfrytëzojnë mbështetjen qeveritare dhe të fokusohen në hapjen e bizneseve të tyre në vend se të presin dhe të kërkojnë punësim në administratë ku pagat me arsim të mesëm janë 15.000 denarë.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Programin vjetor për punësim, Zaev kujtoi se Plani operativ për vitin 2018 është parashikuar me 17 milionë euro dhe me këtë janë targetuar 16.259 persona të papunë.
“Bëhet fjalë për 17 milionë euro para të qytetarëve të dedikuara për fokus shumë serioz – punësim afatgjatë i të rinjve. Ju bëj thirrje të rinjve t’i shfrytëzojnë programet, të angazhohen në sipërmarrje, të hapin biznes të vetin. Të mos kërkojnë punë vetëm në administratën publike ku me arsim të mesëm paga është 15.000 denarë, ndërsa këtu flasim për së paku 18.000 denarë, pagë e cila është më shumë se 300 euro dhe stimuluese”, tha Zaev.
Përveç ndaj të rinjve, masa mbështetëse të qeverisë janë siguruar edhe për, shtoi, gratë, si dhe personat me aftësi të kufizuara.
Për programin vjetor për punësim të cilin e nënshkroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska, drejtoresha e Agjencisë për Punësim Biljana Jovanovska dhe ambasadorja rezidente e KB-së në Maqedoni, Luisa Vinton janë parashikuar 8,3 milionë dollarë, ndërsa parasheh hapjen e 980 bizneseve të vogla nga të cilët 50 për persona me aftësi të kufizuara, si dhe angazhimin e personave në 45 deri 50 komuna të cilët do t’ju ndihmojnë fëmijëve të moshës parashkollore, personave me aftësi të kufizuara dhe personave të moshuar.
“Një numër i madh i të rinjve largohen nga vendi, ndërsa shumica i braktisin fshatrat dhe mjediset rurale. Nga ana tjetër, bizneset private në rritje nuk kanë kuadër të mjaftueshëm. Qëllimi është të tejkalohet ky paradoks”, theksoi Vinton.
Ministrja Caroska tha se ajo që është ndryshe nga planet e mëparshme operative dhe që jep efekt më të mirë, është ajo që masat ju përshtaten nevojave të punëdhënësve, nevojave dhe kualifikimit të të rinjve dhe grupeve të rrezikuara dhe ka mundësi për ndërlidhjen e masave, gjë që deri tani nuk ka qenë praktikë.
Ndërsa drejtoresha e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska informoi për shkallën e realizimit të masave nga Plani operativ, duke theksuar se interesi për masat është i madh.
“Interes më të madh ka për subvencionimin e pagave, ku tanimë janë dorëzuar aplikacione nga 900 punëdhënës për punësimin 1.158 persona, ndërsa nga ana e personave të papunësuar janë dorëzuar 965 aplikacione për pjesëmarrje”, tha Jovanovska.