Zaevi të gjitha i përmend, por jo edhe  Deklaratën shqiptare

Shkup, 26 janar – Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, sot u takua me ambasadorin sllovak, Martin Bezak të cilin e ka informuar për pritjet e LSDM-së rreth proceseve të ardhshme politike të cilat duhet të kontribuojnë drejt normalizimit të vendit. Zaev, siç kumtoi LSDM, pret lideri i VMRO-DPMNE-së më 29 ta kthejë mandatin dhe LSDM të jetë partia, e cila do të formojë Qeveri të ardhshme. “Maqedonia ndodhet drejt një obligimi serioz për zbatimin e prioriteteve reformuese të cilat dalin nga raportet e Pribesë dhe Komisionit Evropian, ndërsa të cilat do të kontribuojnë drejt kthimit të proceseve demokratike në vend. Këtë obligim serioz mund ta zbatojë vetëm një qeveri e re dhe përgjegjëse e formuar sipas vullnetit të shumicës së qytetarëve për ndryshime. Prandaj presim se më 29 janar, Nikolla Gruevski do ta kthejë mandatin dhe se LSDM do të jetë parti e cila do të formojë Qeverinë, e cila do të punojë në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, ka thënë Zaev. Ai ka theksuar se mbështetja që Sllovakia dhe vendet e tjera mbështetëse të Maqedonisë në mënyrë të pakursyer e japin, është e rëndësishme për progresin e mëtejmë të shtetit.