Zaevi siguron se Gruevski do të kthehet, Hungaria vendos për azilin

Shkup, 18 nëntor – Kryeministri Zoran Zaev siguron se ish-kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili është i dënuar në dy vjet burg dhe që është arratisur në Hungari, do të kthehet në shtet.

“Unë ju them se Gruevski do të kthehet. Hungaria duhet të tregojë a është rrëmbyer, apo ka hyrë në veturën diplomatike me vetë dëshirë”, tha Zaev në intervistën për Alsat-M, e cila dje u transmetua nga mediumet e Maqedonisë. Me këtë rast, ai e theksoi shembullin me ish-kryeministrin kroat Ivo Sanader, i cili pasi u dënua në vitin 2010 për shkak të korrupsionit iku nga Kroacia, por një vit më vonë u kap dhe iu dorëzuan autoriteteve kroate.

Derisa në Maqedoni përgatitet kërkesa dhe dokumentacioni për ekstradimin e Gruevskit, ndërsa autoritetet hungareze shqyrtojnë kërkesën e tij për azil politik, në MPB zhvillohen dy hetime të cilat duhet të konfirmojnë si ka ikur Gruevski dhe nëse ndokush nga policia i ka ndihmuar, pas çka pritet MPB-ja të dalë me detaje.

“Nëse konfirmohet përgjegjësi, do të bartë përgjegjësi kushdo në shtet, duke filluar nga unë, dhe cili do tjetër. Por, nuk mund të shkarkojmë njerëz, sepse opinioni është i zemëruar”, tha Zaev në intervistën për Alsat M.

Deri më tani, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë dhe Prokuroria nuk dolën me informacione zyrtare për arratisjen dhe lëvizjen e Gruevskit dhe për atë ku janë lëshimet në tërë rastin.

Nga ajo që dihet deri më tani për rutën përmes të cilës ka lëvizur Gruevski dhe për çka arriti konfirmim nga policia e Republikës së Shqipërisë, është se ai ka qenë në territorin e Shqipërisë dhe prej atje përmes vendkalimit Hani Hotit është nisur drejt Malit të Zi. Zëdhënësi i policisë së Shqipërisë, për AFP deklaroi se Gruevski në Shqipëri ka hyrë pa dyshim në këmbë, sepse hyrja e tij nuk është regjistruar në asnjë vendkalim kufitar midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Nga Shqipëria ka hyrë në Mal të Zi prej ku, sipas mediumeve serbe dhe malazeze, të cilat i referohen burimeve diplomatike, ka hyrë në Serbi përmes vendkalimit kufitar Dobrakovo dhe prej atje është nisur për në Hungari.

Një pjesë e mediumeve vendore dje e transmetuan edhe informacionin e “Fokus” bullgar se Gruevski e ka lëshuar Hungarinë dhe është nisur për në Turqi ose Rusi.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com