Shkup, 23 mars – Shumica e qytetarëve në Maqedoni konsiderojnë se me zgjedhjet që u mbajtën më 11 dhjetor të vitit të kaluar, nuk është tejkaluar kriza politike. Përqindja më e madhe e tyre konsiderojnë se zgjedhjet e reja parlamentare së bashku me ato lokale janë zgjidhje për krizën aktuale, tregojnë rezultatet nga anketa telefonike e Institutit për hulumtime politike Shkup (IHPSH). Në pyetjen nëse zgjedhjet kanë ndihmuar në tejkalimin e krizës, negativisht janë deklaruar 65,5 për qind, pozitivisht 23,2, ndërsa 11.3 për qind nuk e dinë. Për zgjedhje të reja si zgjidhje e krizës janë deklaruar 45.8% e qytetarëve, 35.5 % konsiderojnë se zgjidhja është që presidenti Ivanov t’ia japë mandatin Zoran Zaevit. Nga qytetarët maqedonas etnik, 55.6% konsiderojnë se zgjedhjet e reja janë zgjidhje për krizën, ndërsa 30.2% se ajo do të tejkalohet me dhënien e mandatit Zaevit. Nuk kanë përgjigje apo nuk e dinë se çka do ta zgjidhte krizën 14.2% nga maqedonasit etnik. Tek shqiptarët etnik, ndërkaq, mbisundon qëndrimi se dhënia e mandatit për Zaevin është zgjidhja e krizës, për çka janë deklaruar 55.5%, ndërsa vetëm 9.2% konsiderojnë se nevojiten zgjedhje të reja. Se janë pa përgjigje apo nuk e dinë janë deklaruar 35.3%. Pjesa më e madhe e qytetarëve – 56.5% e arsyetojnë Ivanovin dhe vendimin e tij për të mos ia dhënë mandatin liderit të LSDM-së, 29.8% konsiderojnë se kjo nuk është në rregull, ndërsa 13.7% nuk kanë përgjigje. Në anketën e IHPSH qytetarët janë përgjigjur edhe në pyetjen lidhur me punën e PSP-së. Të pyetur me cilin nga pohimet e dhëna dakordohen, 50% janë deklaruar se PSP është nën ndikim të caktuar dhe kontroll, prej të cilëve 24.5% se është nën kontroll të LSDM-së, ndërsa 25.5% se është nën kontroll të të huajve. Nga të anketuarit, 33% janë deklaruar se punon pavarësisht dhe profesionalisht, ndërsa 17.1% nuk e dinë apo nuk kanë përgjigje. Të ndara janë mendimet nëse PSP-së duhet t’i vazhdohet mandati. Nga të anketuarit, 41.7% janë deklaruar se nuk duhet, 40.6% se duhet të vazhdohet mandati, ndërsa 17.6% nuk kanë përgjigje. Tek maqedonasit etnik, 52% konsiderojnë se nuk duhet të ketë vazhdim të mandatit të PSP-së, 29.7% se duhet, ndërsa 18.3% nuk kanë përgjigje. Tek shqiptarët etnik, ndërkaq, 80.7% konsiderojnë se duhet t’i vazhdohet mandati, vetëm 5% se nuk duhet, ndërsa 14.3 nuk kanë përgjigje. Pjesa më e madhe e të anketuarve apo 54.5% konsiderojnë se në krahasim me para një viti, gjendja plotësisht është përkeqësuar, 17.8% se ka mbetur e njëjtë, 18.9% se ngadalë po kthehet në normale, ndërsa 8.8% nuk kanë përgjigje. IHPSH ka hulumtuar edhe për besimin e politikanëve tek qytetarët. tek maqedonasit etnik, besim më të madh prej 32.9% ka Nikolla Gruevski, më pas Zoran Zaev me 15%, Gjorge Ivnaov me 3.9% dhe Ali Ahmeti në të cilin besojnë 0.2% e të anketuarve. Në Bilall Kasamin, Menduh Thaçin dhe Ziadin Selën besimi është nën një për qind, ndërsa në asnjërin nuk besojnë 27% e qytetarëve, për ndonjë tjetër janë deklaruar 1.9% dhe nuk e dinë apo nuk kanë përgjigje 19.1%. Tek shqiptarët etnik, ndërkaq besim më të madh gëzon Ali Ahmeti me 20% dhe Zoran Zaev 8.4%. Në Ziadin Selën besojnë 4.2%, Menduh Thaçin 3.8% dhe Bilall Kasamin 5%. Një pjesë e madhe e shqiptarëve etnik – 46,2% nuk besojnë në asnjërin prej tyre, për tjetër janë deklaruar 2.5%, nuk kanë përgjigje 9.7%. Për Ivanovin dhe Gruevskin nuk janë deklaruar asnjë nga shqiptarët etnik. IHPSH anketën e ka kryer në periudhën prej 10 deri më 13 mars të këtij viti në 1.100 të anketuar të moshës madhore.