Shkup, 3 mars – Presidenti duhet të ndryshojë vendimin për dorëzimin e mandatit, në të kundërtën, ne do të krijojmë një situatë të tillë që Ivanovi të bëhet pishman. Pothuajse në këtë prizëm lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, e ka përshkruar situatën aktuale në të cilën ndodhet Maqedonia, në një intervistë për televizionin 24Vesti, në të cilën përsëriti se tashmë ai ka 67 mandate dhe se pret t’i dorëzohet vendimi për formimin e Qeverisë. “Unë besoj se nëse Ivanovi qëndron në këtë vendim, me çka edhe po ndodh dhe nuk e jep mandatin, me hapat tonë të ardhshme që do t’i marrim, do të krijojmë situatë që në fund ai ta ndryshoj vendimin”, është shprehur i sigurt Zaevi, ndërsa përmendi se me nënshkrimet e grumbulluara, ka të drejtën e zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit. “Parlamenti mund të zgjedh kryetarin dhe në këtë pikë – nuk mund të pengojë aspak presidenti i shtetit, sepse 67 mandatet garantojnë se mund të krijohet shumicë votash në Parlament… Ky mund të jetë një ndër hapat që mund të ndërmarrim”, tha Zaevi. Ai tha se ky nuk është vetëm plan i tij, por edhe i Ahmetit dhe partive të tjera që janë pjesë e bisedimeve për formimin e Qeverisë. Zaevi gjithashtu tha se tashmë ka filluar të punohet për opsionet, siç tha ai, B, C dhe D, ndërsa beson se do të realizohet opsioni A, edhe pse kjo e fundit do të duhej të ishte realizuar deri më tani. “Ivanov ta dorëzoj mandatin në afatin më të shkurtër të mundshëm”, përsëriti lideri i LSDM-së. Përderisa po protestohet ditëve të fundit në qytetin e Shkupit, por edhe në qytetet tjera të Maqedonisë, kundër Platformës shqiptare, Zaevi demantoi organizatorët e protestave dhe vet VMRO-në se deri më tani, nuk është biseduar për asnjë ndryshim kushtetues të vendit. “Për momentin, 33 komuna në Maqedoni kanë dygjuhësinë. Popullata po manipulohet se po realizohet dygjuhësia në tërë territorin e shtetit dhe se Kushtetuta do të ndryshohet. Ose, paratë do të jenë në dy gjuhë. Diçka e tillë nuk biseduar”, tha Zaevi. Ai demantoi gjithashtu se, bashkë me BDI-në, është planifikuar edhe anulimi i zgjedhjeve lokale. Për momentin, tha Zaevi, nuk e shoh si zgjidhje zgjedhjet e reja parlamentare, pasi siç u shpreh ai, do të ndodh e njëjta gjë dhe se vetëm shteti do të thellohet në humbje. (E.J)