Shkup, 14 shkurt– Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev dhe koordinatori i grupit të deputetëve të partisë në pushtet Jovan Mitreski janë në koordinim të vazhdueshëm, ndërsa ata kanë pasur koordinim edhe pasdite, konfirmuan nga LSDM-ja për KOHA.
Paraprakisht burime të larta partiake të LSDM-së për KOHA theksuan se Zaevi nuk ndodhet në Kuvend, as se janë planifikuar takime me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin dhe liderin e BDI-s, Ali Ahmetin.
Siç theksojnë nga LSDM-ja, derisa nuk kalon Ligji për PP nuk do të mbahet seanca në të cilën në rend dite është propozimi për shkarkimin e ministres së Punës dhe Politikës Sociale Rashella Mizrahi, e cila fillimisht ishte caktuar për sot në orën 15.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, megjithatë paralajmëroi se shtëpia ligjdhënëse do të vazhdojë me punë pa ndërprerje, derisa nuk shpërndahet, ndërsa afati i fundit për këtë është 16 shkurti, në pajtim me datën e dakorduar në takimin e liderëve te presidenti Stevo Pendarovski, që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 12 prill.
Në Kuvend nga pasditja po mbahet seanca e 135-të në të cilën në rend dite është ligji për prokurori publike dhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për Këshillin për Prokurorë Publikë.(koha.mk)