Shkup, 22 qershor – Kryeministri Zoran Zaev në seancën e sotme parlamentare njoftoi se Qeveria i ndërpreu marrëveshjet për fushatat reklamuese të Si-En-En dhe Bi-Bi-Si dhe marrëveshjet me siç tha, kuazi këshilltarët. Me këtë edhe masat tjera të ndërmarra, tha, në 15-të ditët e fundit janë kursyer 10 milionë euro. “I ndërpresim fushatat e Si-En-En dhe Bi-Bi-Si dhe të gjitha fushatat e mundshme të cilat janë bërë në shtet, i prishëm marrëveshjet e kuazi ekspertëve të huaj, i prishëm marrëveshjet për mirëmbajtjen e tërë sistemit informativ të 14-të informatikanëve në Qeveri”, informon Zaev, duke u kundërpërgjigjur deputetëve nga VMRO-DPMNE të cilët e akuzuan se përkundër premtimeve parazgjedhore për uljen e dikastereve ministrore në Qeveri, numri është rritur, që shkakton shpenzime shtesë. Zaev njëherit apelon ata që mungojnë nga 10-20 ditë, të fillojnë të shkojnë në punë. “Çka të bëjmë me njerëzit të cilët pas dhjetë-njëzet ditëve nuk janë paraqitur në punë? Ligji thotë pas tre ditëve mungesë të paparaqitur ndërpritet marrëdhënia e punës. Edhe njëherë apeloj të vijnë në punë, thekson kryeministri, duke u përgjigjur deputetëve nga VMRO-DPMNE të cilët akuzuan se i ka shkelur premtimet se Qeveria e re nuk do të ketë më shumë se 20 ministra, ndërsa tani ka 26 ministra dhe 26 zëvendësministra, me çka ka treguar jokonsekuencë lidhur me Buxhetin dhe shpenzimin e tij.