Sarajevë, 8 maj – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe ai i Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama kanë shkëmbyer biseda në iftarin e përbashkët në Sarajevë me ftesë të kryetarit të Këshillit të ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiç, shkruan gazeta KOHA.
Lajmin në fjalë e ka publikuar në profilin e tij në Facebook, kryeministri i Maqedonisë, Zaev, i cili në Sarajevë po merr pjesë në takimin e rregullt të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që prej sot e deri më datën 9 të këtij muaji do të mbahet në Sarajevë, ku së bashku me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor do të debatojnë për çështje ekonomike dhe politike të rëndësishme për rajonin
“Këtyre ditëve në kohën e agjërimit që janë ditë të respektit, solidaritetit, të mirës, dashurisë dhe faljes, në iftar në Sarajevë me kryeministrin e Republikës së Shaqipërisë, me ftesë të kryetarit të Këshillit të ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiç. Në ditët e Ramzanit, të përkujtojmë se duhet respektuar dhe të bashkohemi si popuj”, shkruan Zaevi në FB. (koha.mk)