Shkup, 15 tetor – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e filloi mbledhjen e 61-të në të cilën në rend dite është Propozimi për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e tij, parashtruar nga Qeveria.
Duke e arsyetuar propozimin, kryeministri Zoran zaev potencoi se tani përgjegjësia më e madhe për të ardhmen e vendit është në duart e deputetëve. U bëri thirrje të votojnë sipas vullnetit të tyre, posaçërisht ata që hamenden, të mendojnë se si do të votojnë. “Shihni drejt të ardhmes, në të ardhmen e fëmijëve tuaj”, tha kryeministri, duke shtuar se vullneti i qytetarëve është shteti të shkojë përpara”, tha kryeministri.
Zgjedhja tjetër, sipas tij, do të na hedhë në izolim, dhe do të na i kthejë traumat politike që i përjetuam në 27 vitet e fundit, e posaçërisht gjatë viteve të fundit. Vota për të ardhme evropiane të vendit tonë do të na çojë përpara në anëtarësim të barabartë në NATO dhe BE. “Duhet të vendosni nëse do të fitojmë shumë apo do të humbim shumë”, tha Zaev.
Bëri thirrje që të përfundojnë ndarjet sipas linjës partiake dhe bëri porosi për pajtim pas ngjarjeve të 27 prillit. “Ja mundësia për të falur”, tha kryeministri, duke e cekur 27 prillin, kur, siç tha, ka qenë cak i atyre sulmeve. Ta shtrijmë dorën, tha ai, duke shtuar se nuk ka mënyrë tjetër që populli të pajtohet nëse politikanët, deputetët në Parlament, nuk falin njëri-tjetrin.
Sipas tij, rolin dhe vendimin e tyre historik e presin të gjithë qytetarët dhe të gjithë në botë”, tha Zaev. Qeveria është e gatshme të jetë maksimalisht e përgatitur për pranim të amandamenteve, por të jenë në frymën e marrëveshjes së Prespës.
Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE, para votimit për rendin e ditës kërkoi që pika të ndërrohet, sepse, siç tha, kjo çështje nuk ka kredibilitet as zgjedhor, e as të referendumit. Për propozimin e Dimovskit votuan 39 deputetë, ndërsa kundër ishin 67.
Në sallë ndodhen deputetët e të gjitha grupeve parlamentare, ndërkaq në mbledhje mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.