Zoran Zaevi – mu para nismës së fushatës zgjedhore – kumtoi një ftesë publike të padëgjuar në këto tre dhjetëvjetësha të lojës së demokracisë në vendin tonë. Ftesa iu drejtua të gjitha partive politike shqiptare. Pra, Zaevi mblodhi trimëri dhe mori frymë thellë para se ta kumtojë këtë ftesë miqësie dhe bashkëpunimi me subjektet politike shqiptare
Nga Shaqir ISLAMI
Zakonisht, kur dikush kumton një ftesë publike për miqësi dhe bashkëpunim, apo siç shprehet fjala miqësi në politikë ‘për aleancë’;ai e bën hapin e parë publikisht, me ftesën për bashkëpunim me dobi të ndërsjellë… për këtë gjest bujarie thuhet se dikush ‘ia hedh dorëzën tjetrit’. Aleanca është thjesht, pajtimi, ndalesa e armiqësisë, e ndërprerjes së komunikimit për shumë arsye, e tejkalimit të hendeqeve psikologjike, lënia e inateve të kota dhe boshe … ftesa e Zaevit ishte për të gjitha partitë shqiptare pa dallim ideologjie. Lëreni se, partitë shqiptare nuk kanë kurrfarë lidhjesh me ideologjitë politike.
Zaevo, si Bash Pehlivan e mori këtë hap politik, bazuar në thënien popullore ballkanase “Nëse bregu nuk shkon kah Muhammedi … atëherë, Muhammedi shkon drejt bregut”. Me siguri, i këshilluar nga ndonjë njohës i psikologjisë kolektive dhe objektive shqiptare !Padyshim se, aktualisht,lider i LSDM-së ka nevojë për çdo votë, e sidomos, kur bëhet hesap se votat e shqiptarëve e bëjnë fitues të rehatshëm karshi VMRO-së; thënë troç, çdo votë është e mirëseardhur në politikë. Vota në kuti peshon njëjtë. Në demokraci vota e ka të njëjtën peshë pa dallim feje, kombi, ngjyre, gjinie, klase. Ditën e votimit, sundon barazia reale, siç jemi para vdekjes dhe para Zotit!
Dhe, vetëm një votë e vetme, edhe të një idioti, e bën dallimin dhe e falë legjitimitetin politik. Prandaj, aleancat qofshin para ose pas zgjedhjeve, në politikë janë të dobishme dhe sjellin bereqet të ndërsjellë dhe të gjithëve që janë pjesë e aleancës, dhe jo vetëm njërës palë. Kësaj here aleanca para zgjedhore, ka një domethënie të posaçme për të gjithë së bashku. Vetëm një aleancë parazgjedhore me Zaevin mund të sjell ndryshime thelbësore edhe për shqiptarët. Aleanca parazgjedhore e përcakton mandatarin e qeverisë së ardhshme; e përcakton vazhdimësinë e rrugës europiane, përndryshe VMRO-ja mund ta ndërrojë trajektoren politike.
Opozita e përçarë nuk ka aftësinë dhe fuqinë për ta bërë ndryshimin e kaqpritur nga qytetarët. Ashtu të përçarë siç janë, mund ta ndërrojnë pushtetin e lodhur dhe të harxhuar si opengë e grisur vetëm të bashkuar nën çadrën e Zaevit.
Le t’i kushtojmë një çik vëmendje fjalës aleancë. Dhe, hajde, ta marrim veten me të mirë! Me një qëllim bujar dhe fisnik, ta nisim hapin bashkërisht kah ndryshimi i mendësisë sonë të ngurtë, t’i kapërcejmë paragjykimet e rrënjosura dhe të shtresuara thellë në pavetëdijen tonë, t’i thyejmë stereotipat e ngulitura në mendjet tona, t’i pastrojmë kanalet e komunikimit nga “llombet” që kundërmojnë mjedisin tonë shoqërorë (siç u thonë dibrançe); le të hapim kanale qytetare të komunikimit; si mes nesh, njashtu me fqinjët tanë; pa edhe në qofshin të tillë siç janë!
Përparësi duhet të ketë ndryshimi kah e mbara. Ndryshimi i mendësive, i qëndrimeve, i paragjykimeve, i stereotipave, … për hir të interesit dhe të mirës publike. Interesin personal le ta fusim në çekmexhen e vjetër dhe ta kyçim me dry, ndërsa, këtyre të fundit le t’u japim përparësi në luftën tonë politike. Po, ndryshimi është një vepër i vështirë dhe i mundimshëm, por, duhet të sjell bereqet ! E mira publike duhet t’i shërbejë mbarë shoqërisë; e kjo krijon një shoqëri më të lumtur, më me dinjitet, më krenarë, më njerëzorë, dhe më bujar.
Zoran Zaevi – mu para nismës së fushatës zgjedhore – kumtoi një ftesë publike të padëgjuar në këto tre dhjetëvjetësha të lojës së demokracisë në vendin tonë. Ftesa iu drejtua të gjitha partive politike shqiptare. Pra, Zaevi mblodhi trimëri dhe morri frymë thellë para se ta kumtojë këtë ftesë miqësie dhe bashkëpunimi me subjektet politike shqiptare. Ftesa, që u kumtua në media ishte ogurbardhë, ishte ftesë për bashkëpunim, për koalicion paraprak mes partisë së tij dhe partive shqiptare, për të mirën e të gjithëve.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)