Shkup, 24 maj – Pasi gazeta KOHA dhe televizioni Telma publikoi se oficeri i Agjencisë serbe të kundërzbulimit, Goran Zhivaljeviq, natën e 27 prillit ka qenë brenda Parlamentit, ndërsa është futur me turmën e huliganëve të dhunshëm, ka reaguar edhe mandatari për Qeverinë e re, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Al Jazeera raporton se në darkën sonte ne Bruksel, ku janë gjashtë kryeministra të Ballkanit, Zaevi do t’i kërkoj llogari presidentit serb Aleksandar Vuçiç për detyrën e Zhivaljeviqit në Parlament natën kur vet Zaevi dhe deputetë tjerë u rrahën nga huliganët maqedonas të afërt me VMRO-DPMNE. Ndryshe, gazeta KOHA, pas një hulumtimi të përbashkët me televizionin Telma, raportoi dje se Goran Zhivaleviq, oficer i Agjencisë serbe për kundërzbulim – BIA, diplomat aktual dhe këshilltar në Ambasadën serbe në Shkup, më 27 prill, gjatë kohës së incidenteve ka qenë në Parlament. Ai ishte futur në Parlament pas orës 20 së bashku me një grup personash nga turma dhe është nisur drejt sallës plenare ku ende kanë qenë deputetët e VMRO-DPMNE. Sipas burimeve të gaetës KOHA dhe Telma, ai këtu edhe është fotografuar, por nuk është ndalur vetëm aty. Zhivaljeviq kishte qëndruar deri në fund të ngjarjeve në parlament dhe gjatë kohës së incidenteve që kanë ndodhur aty. (koha.mk)