Bruksel, 16 tetor – Pas gjithë asaj që e bëmë jemi të bindur se duhet të marrim vendim për fillimin e negociatave me BE-në tani dhe menjëherë. Jemi të gatshëm për këtë politikisht dhe në mënyrë institucionale. Secila shtyrje do të lexohet si vendim negativ dhe do të ketë pasoja shumë negative, nivel të lartë të dëshpërimit te qytetarët dhe te të gjithë ata të cilët e mbështetën zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, porositi kryeministri Zoran Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp në Bruksel me eurokomisarin për Zgjerim Johanes Han.
“Në qershor morëm porosinë se Maqedonia e Veriut përmbushi gjithçka, por për shkak të harmonizimeve kalendarike të vendeve anëtare të BE-së lajmi i mirë për fillimin e negociatave do të na arrijë në tetor. Tetori erdhi dhe ne jemi në Bruksel, e presim lajmin e merituar për vendimin për negociata për qëllimin tonë strategjik anëtarësimin në BE”, theksoi Zaev.
E kuptojmë, theksoi kryeministri, se disa anëtare kanë nevojë që të hapin debat për metodologjinë e re për negociatat, por të dyja proceset mund të ecin paralelisht.
“Kjo nuk pengon që të marrim vendim për negociata tani dhe menjëherë. Na duhet vendim pozitiv tani dhe menjëherë. Kjo nënkupton për ne proces të ri dhe punë e mundimshme. Pas 10 rekomandimeve të BE-së, përfundimet optimiste të Këshillit të BE-së në vitin 2018 dhe 2019 dhe të gjitha rezultatet dhe reformat, pas gjithë punës që bëmë jemi të bindur se duhet të fillojmë me negociatat”, tha Zaev.
Përkujtoi se zbatimi i Marrëveshjes së Prespës ka lidhje me hapjen e kapitujve për BE-në.
“Dëshiroj që me qëllim të mirë të tërheq vërejtjen se nëse nuk merret vendimi i pritur pozitiv i merituar për negociata, kredibiliteti i BE-së dhe besimi i qytetarëve tanë mund të vihen në pikëpyetje. Kjo do t’i përforcojë forcat regresive në vendin dhe interesin e palëve të treta në rajon. Për këtë liderë të BE-së mos i shuani yjet e ndritshme drejtë të cilave përpiqemi, mos u bëni pengesë e jona, bëhuni heronjtë tanë”, porositi Zaevi.
Ai i porositi edhe qytetarët në vend, duke theksuar se reformat dhe ndryshimet e arritura të cilat janë bërë askush nuk mund t’i marrë dhe se nga kjo pasiguri do të dalim më të fuqishëm dhe me më shumë përvojë.
“Po bëhemi anëtare e NATO-s, gjë që ishte qëllimi ynë strategjik që nga pavarësia e deri më sot. Kjo na qon para, stabil dhe të sigurt në aleancë me më të fuqishmit. Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë që të jemi shembull dhe motivim për ndryshim pozitiv në rajon. Është e qartë se Ballkani ka ndryshuar dhe se po bëhet burim i stabilitetit. BE-ja shumë mirë e di këtë dhe duhet të pranojë se edhe Ballkani është evropian. Mbesin të përkushtuar dhe me punë dëshmojmë se ku e kemi vendin. Kjo është mirë për ne, për rajonin dhe për vetë BE-në”, tha Zaevi.
Eurokomisari për Zgjerim Johanes Han, nga ana e tij, edhe një herë iu bëri thirrje liderëve të cilët do të takohen nesër në Bruksel që të tregojnë pikërisht lidership për këtë çështje.
“I thatë pritjet tuaja nga liderët, ta vendosim fokusin në fjalën lider, presim lidership. Nëse i shihni arritjet politike në dy vitet e fundit, gati se asnjëri vend në Evropë nuk ka ecur një rrugë aq të gjatë, me reforma dhe masa aq të dhimbshme”, deklaroi Hani.
Ai shtoi se qytetarët e vendit e meritojnë këtë perspektivë që të mundet të përmirësohet standardi i jetesës dhe të ulet emigrimi, veçanërisht i të rinjve.
Hani e lavdëroi edhe atmosferën e bashkëpunimit në Kuvend dhe e njohu rolin e luajtur nga të gjithë aktorët e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe përkujtoi se shumica e vendeve anëtare të BE-së “nuk kërkon asgjë përveç se që të japë dritë të gjelbër që të fillojnë të përgatiten negociatat”.
Komisari, si edhe kryeministri, pajtohen me presidentin francez se nevojitet reformë e brendshme në BE dhe përmirësim i qasjes negociuese, por shtoi edhe se nuk ka kurrfarë shkaku që proceset të mos ecin paralelisht. Hani gjatë kësaj e përkujtoi Emanuel Makronin për deklaratën e tij të dhënë në Beograd para disa muajve se të dyja proceset mund të ecin krah për krah.