Kryeministri grek Aleksis Cipras dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, janë nominuar për Çmimin Nobël për Paqe për vitin 2019, nga ana e kryetarit të grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, Udo Bulman, Ska Keler nga grupi i Aleancës së Gjelbër/së Lirë Evropiane dhe Gabi Cimer nga E Majta e Bashkuara Evropiane – e Gjelbra Nordike, shkruan sot agjencia greke e lajmeve ANA-MPA.
Në deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga Bulmani, Keleri dhe Cimeri theksohet se “Marrëveshja e Prespës mes Greqisë dhe Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë i dha fund kontestit që ka zgjatur një kohë të gjatë dhe sjellë stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Ata theksojnë se Marrëveshja e Prespës, e cila u ratifikua nga parlamentet e dy vendeve, është “model i zgjidhjes së qetë të problemeve ndërkombëtare përmes dialogut dhe kompromisit të përbashkët. Kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras patën guximin politik që të vazhdojnë me marrëveshjen përkundër opozitës nacionaliste”.
“Për shkak të gjithë këtyre arsyeve e mbështesim nominimin e Aleksis Ciprasit dhe Zoran Zaevit për Çmimin Nobël për Paqe për vitin 2019 nga ana e Videl Bushamaui, fitues Çmimit Nobël për Paqe në vitin 2015”, thanë Keleri, Bulmani dhe Cimeri, në deklaratën e përbashkët.
“Tani përfundimisht do të mund të themi: Mirë se erdhët në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Bulmani në porosinë me shkrim, duke shtuar se ratifikimi dëshmon se forcat progresive politike mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjes afatgjate dhe të bëjnë kompromise të vështira që nacionalistët ose konservatorët nuk ia dolën t’i arrijnë thuajse tri dekada.
Bulmani, gjithashtu, përgëzoi kryeministrat Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev për “marrëveshjen historike që tani do të zbatohet”.
Ai, gjithashtu, u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të dëshmojnë se ata që arrijnë kompromise të vështira do të shpërblehen dhe i bëri thirrje BE-së që ta ftojë Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë që “t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian në qershor të vitit 2019”.(koha.mk)