Shkup, 15 tetor – Kryeministri Zoran Zaev mbetet optimist dhe beson se vendi do të marrë datë për fillim të negociatave. Sipas vlerësimeve të tij, do të lihet që liderët e BE-së të vendosin për vendimin për negociata, e jo ministrat e tyre. Ai paralajmëroi se cilido që të jetë vendimi, zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë.
“Presidenti francez (Emanuel) Makron para kolegëve të tij do të dojë ta sqarojë metodologjinë e re. Bëhet fjalë jo për ne, vendet kandidate, të cilat presin vendim për fillim të negociatave, por për reforma në BE, që është e lidhur me ne, vendet që dëshirojmë të bëhemi anëtarë. Besoj se vendimin do ta merr Këshilli evropian, ku janë liderët e vendeve anëtare, tha kryeministri Zaev, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencë për shtyp.
Ai mbetet optimist dhe thotë se për ne është shumë me rëndësi të kemi vendim të pastër për fillim të negociatave.
“Kemi mirëkuptim për metodologjinë e re të negociatave, e cila shteteve do t’u japë mundësi korrekte me performanse të mira që t’i përshpejtojnë proceset negociuese, ndërsa ata të cilët nuk do të kenë performanse të suksesshme, do t’i kthejnë prapa. Por, nuk ekziston vend në 20 vitet e fundit që ka pritur dhe ka marrë vendim të tillë për fillim të negociatave, e të ketë bërë më shumë se ne. Kemi bërë më shumë në reformat, në planin ndërkombëtar dhe bilateral. Nga secili aspekt i mundshëm me të vërtetë jemi shembull edhe për Evropën edhe për botën. Besoj se BE-ja përmes Këshillit evropian këto ditë do ta plotësojë obligimin e vet”, tha kryeministri Zaev.
Ai paralajmëroi se më 17 tetor, në ditën e parë të Këshillit evropian, do të shkojë në Bruksel, ku do ta shfrytëzojë mundësinë që të bisedojë me liderët e vendeve anëtare të BE-së para se vendimi të merret.
“Me kujdes e ndjekim diskursin dhe debatin në BE. Kjo është e dobishme për ne dhe nuk është mirë vetëm për vendet anëtare të BE-së. Si vend kandidat që do të fillojë negociata, presim çdo reformë e re në BE të sjell përfitim të drejtpërdrejtë edhe këtu”, tha Zaev, duke shtuar se pret edhe nga BE-ja ta respektojë suksesin që e ka bërë vendi.
I pyetur nëse nuk marrim datë për fillim të negociatave, a do të ketë zgjedhje të parakohshme, Zaev tha se “nuk guxon të rrezikohet parashikueshmëria me zgjedhje para termit të rregullt”.
“Besoj deri në qiell se do të marrim datë. Nëse nuk marrim, parashikueshmërinë nuk guxojmë ta rrezikojmë. Ne jemi vend, ku alternativë për BE dhe NATO nuk ka. Nuk ka faktorë në shtet të cilët ofrojnë alternativë. Mbetemi në alternativën e vetme e cila ekziston, e ajo është integrimi në institucionet euroatlantike”, tha Zaev.
Sipas tij, cilat do që të jenë vendimet, nuk ka shkak për zgjedhje të jashtëzakonshme.