Republika e Turqisë është një nga miqtë tanë më të mëdhenj dhe pritjet e tyre janë kur të përfundojnë të gjitha proceset politike zgjedhore, ato do të fillojnë procedurën e ratifikimit të protokollit për anëtarësim e vendit në NATO, u përgjigj kryeministri Zoran Zaev në pyetjet e gazetarëve kur pritet Ankaraja ta ratifikojë protokollin.
Zaev në konferencën për media pas përfundimit të takimit të Këshillit Veriatlantik të NATO-s për ratifikimin nga ana e Turqisë, iu referua edhe deklaratës të zëvendëskryetarit të Qeverisë turke se ata do të vazhdojnë me mbështetjen e vendit tonë dhe do ta ratifikojnë këtë protokoll sa më parë që është e mundur.
“Ministritë tona të Punëve të Brendshme, Drejtësisë bashkëpunojnë edhe për çështje të tjera të hapura, kështu që bashkëpunimi vazhdon në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare”, tha Zaev duke potencuar edhe njëherë se Turqia është një nga miqtë tanë më të mëdhenj, duke shprehur besimin se këtë do ta dëshmojë edhe kësaj here.
Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg duke u përgjigjur në pyetjeje rreth pranisë së NATO-s në Kosovë sqaroi se atje janë të pranishëm përmes Misionit të KFOR-it me detyrë për të krijuar paqe dhe siguri dhe për t’i mbrojtur të gjitha komunitetet përfshirë edhe serbët.
Theksoi se kanë bashkëpunim të ngushtë me të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Kjo është detyra jonë, theksoi, këtë e kemi mision në Kosovë.
Sipas tij, ka nevojë për zgjidhje politike dhe për këtë arsye e mbështesin dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, sepse në afat të gjatë kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur dallimet që ekzistojnë.
Në këtë kontekst, Stoltenbergu theksoi se ajo që u dakorduan kryeministri Zaev dhe kryeministri grek Cipras është një model edhe për Kosovën dhe gjithë rajonin, sepse tregon se është e mundur të tejkalohen të gjitha dallimet historike dhe mosmarrëveshjet.
“Të mos harrohet e kaluara, por mos të shkatërrohet edhe ardhmëria. Marrëveshja e Prespës dhe progresi i bërë nga Maqedonia Veriore me Marrëveshjen me Greqinë janë të rëndësishme për vendin, por është gjithashtu një frymëzim i madh të jetë model për të gjithë rajonin për të kapërcyer dallimet dhe për të ecur drejt së ardhmes së bashku”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO Stoltenberg.(koha.mk)