Shkup, 11 maj – Nëse nuk ka miratim, nuk do të ndërtohet. Ligjet duhet të respektohen nga të gjithë, thotë kryeministri Zoran Zaev në lidhje me mosmarrëveshjet për mënyrën se si bëhet rekonstruimi i Xhamisë së Ali Pashës në Ohër.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve gjatë vizitës së tij në Ohër, kryeministri theksoi se nuk mund të ndërtohet pas miratim për ndërtim pavarësisht se a bëhet fjalë për shtëpi, ndërtesë, kishë apo xhami.
“Kategorikisht dërgoj mesazh që të respektohen procedurat, proceset dhe ligjet në vend. Nëse dikush ka të drejtë për miratim për ndërtim, mund ta fitojë atë të drejtë, nëse nuk ka të drejtë, nuk do ta fitojë dhe të gjithë duhet t’i respektojmë të drejtat dhe ligjet”, tha kryeministri.
Në lidhje me paralajmërimet se shteti do ta ndërmerr menaxhimin e sistemit të kolektorit për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit kryeministri tha se po punohet për zgjidhjen e problemit, gjegjësisht, zgjidhje po kërkohet përmes gjetjes së mënyrave për ndihmë financiare të komunave me marrjen e kredive në afat të gjatë me norma më të ulëta të interesit.
“Në gjithë pakon presim që Qeveria të sjellë vendim për përfshirjen e plotë me menaxhimin e sistemit të kolektorit dhe jo vetëm atë, por me obligim për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e tij”, tha Zaev.