Shkup, 13 nëntor – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i shoqëruar nga ministrja e Financave Nina Angelovska, sonte u takua me delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të udhëhequr nga Bergljot Bjorson Barkbu, shefe e misionit të FMN-së për vendin.
Në takimin e përbashkët u konstatua se klima stabile politike, reformat e mira, kapacitetet e përforcuara të institucioneve, administrata efikase, stabiliteti fiskal janë kyç për zhvillimin e ekonomisë në shtet, kumtoi pres shërbimi qeveritar, transmeton gazeta KOHA.
U vlerësua se Republika e Maqedonisë së Veriut ka kontekst të fuqishëm ekonomik për zhvillim. U konstatua zvogëlim i papunësisë. Është shprehur pajtueshmëri se politikat racionale bartin rezultate të parashikueshme.
Zaevi i sqaroi masat që i ndërmerr Qeveria për rritjen e rrogave, siç janë rritja e pagës minimale, që pritet edhe më shumë ta rritë spiralën e rritjes së rrogave, subvencionimin e kontributeve me qëllim të motivohet rritja e rrogave në vend, masat për luftë kundër ekonomisë gri, adaptimit të politikave tatimore, iniciativat për rritjen e investimeve kapitale, me qëllim të mundësimit të motivimit të rritjes ekonomike.
“Para nesh është periudhë e rëndësishme politike. Integrimet e suksesshme drejtpërdrejtë ndikojnë në interesin më të madh të investitorëve të huaj për investim në shtet dhe për inkurajimin për investim në ndërmarrjet vendore të vogla dhe të mesme. Si Qeveri jemi të orientuar ndaj masave fleksibile për të gjithë investitorët. I përforcojmë kapacitetet administrative që ta lehtësojmë realizimin e investimeve kapitale. Përmes strategjisë për zhvillim të kapitalit njerëzor dhe përkushtimit për zhvillim të teknologjive informatike i motivojmë të rinjtë të jetojnë dhe punojnë në vendlindje. E dimë se para nesh ka ende punë, por të t gjitha forcat janë të orientuara drejt jetës më të mirë të qytetarëve, ndaj rritjes së standardit të jetesës dhe ndaj zhvillimit ekonomik të shtetit tonë”, tha Zaev në takimin me përfaqësuesit e FMN-së, të cilët gjenden në vizitë të rregullt vjetore.(koha.mk)