Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendëskryetarja Radimila Shekerinska dhe sekretari i përgjithshëm Oliver Spasovski, sot u takuan me ambasadorin e SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli. Siç njoftoi LSDM-ja, Zaev ka theksuar se shumica e qytetarëve në Maqedoni kanë zgjedhur ndryshime në zgjedhjet parlamentare dhe vullneti i tyre duhet të respektohet. Sipas liderit të LSDM-së Republika e Maqedonisë do të fitojë qeveri e cila do të punojë në interes të qytetarëve të Maqedonisë, dhe njëherit ka theksuar se institucionet janë të obliguara të punojnë në shërbim të qytetarëve. “Qytetarët u përcaktuan për jetë më të mirë, për liri, për demokraci. Ajo që qytetarët nuk iu nënshtruan manipulimeve dhe provokimeve ditëve të fundit është edhe një konfirmim se shoqëria është e pjekur për ndryshime. Ditët në vijim do të tregojnë se proceset e filluara demokratike në Maqedoni tashmë askush nuk mund t’i pengojë”, ka thënë mes tjerash Zaevi në takimin me ambasadorin Bejli.