Shkup, 18 shtator – Në programin qeveritar është saktësuar se Qeveria do ta nxisë dhe do të bashkëpunojë me sektorin afarist në mënyrë që të mbështeten marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe besimi i ndërsjelltë. Qëllimi është mes tjerash të shfrytëzohet i tërë potenciali njerëzor me të cilin disponon vendi. Kjo është posaçërisht me rëndësi për të folur për ndryshim të vetëdijes tek secili prej nesh dhe hedhja poshtë e paragjykimeve të çfarëdo lloji, me qëllim që secili kuadër cilësor të angazhohet në mënyrë adekuate, në mënyrë që të japim maksimum kontribute në shoqërinë tonë.
Këtë e porositi kryeministri Zoran Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, ku u prezantua Platforma nacionale për mësim nga distanca, si përgjigje në pyetjen e gazetarëve për subvencionet e paralajmëruara për kompani për punësim të pakicave.
“Subvencione do të ketë sipas vendeve të punës, do të kenë përparësi punëtorët e kualifikuar apo qytetarët, kështu që besoj se në frymën e shoqërisë së orientuar drejt qytetarëve do ta realizojmë edhe këtë përcaktim programor të Qeverisë”, deklaroi Zaev.
Kryeministri paralajmëroi se subvencione do të ketë edhe për maqedonasit, për shqiptarët, për turqit, për serbët dhe për vllehtë, romët, boshnjakët, për të gjithë në vendin tonë, dhe, nënvizoi, ato do të organizohen njejtë për të gjithë qytetarët.
“Jo vetëm përmes pjesës së subvencione dhe mbështetjes së hapjes së fabrikave, por edhe përmes Ligjit për investimet strategjike. Biseduam për disa investime strategjike, siç është vënia në funksion përmes partnerit strategjik të Kombinatit të duhanit në Kumanovë për ta riaktivizuar veprimtarinë e duhanit “Hotla”, siç quhet vetë klasa e duhanit që përpunohet, por edhe të punësohen qytetarët e tërë rajonit të Kumanovës. Aty do të punësohen edhe shqiptarë dhe serbë e maqedonas, para së gjithash në kualifikimin e tyre, por rajoni ka më së shumti të papunë në shtet dhe atje do të alokojmë mjete”, sqaroi Zaev.
I ceki si shembuj edhe projektin e “Ekolog” prej 300 milionë eurove që, siç tha, e negociojnë përmes Ligjit për investime strategjike në rajonin e Tetovës apo projektin STP qendra digjitale në Karposh për shkak të punësimit të të rinjve, para së gjithash me teknologjitë informatike apo Qendrën në Negotinë.
“Subvencione do të ketë për të gjitha bashkësitë etnike, për të gjitha nismat, do të vazhdojë qasja rajonale, do të shohim përmes rajoneve dhe përmes nevojës nga fuqia e kualifikuar e punës, por edhe të motivimit të qytetarëve të kualifikohen për nevojat e tregut të punës. Njëra pjesë përmes masave nga Agjencia për punësim, e dyta është përmes procesit arsimor të prodhojmë kuadro të cilat në të ardhmen do të kenë kërkesë të lehtë të punës. Të vazhdojmë drejt qasjes së barabartë, kemi program të përbashkët, i cili jep hapa konkret dhe përgjigje ndaj zgjidhjes së problemeve të qytetarëve, si qytetarë. Ne jemi një shoqëri e barabartë dhe do të vazhdojmë në atë drejtim për t’i zhvilluar politikat tona”, tha Zaev.
Qeveria do t’u ndihmojë dhe do t’u ndihmojë kompanive për punësim të të gjithë personave të papunë, përmes qasjes së barabartë ndaj të gjithë qytetarëve dhe kompanive, të cilët kanë nevojë për mbështetje të tillë. Këtë dje e potencuan nga Qeveria për MIA-n, që kërkuan sqarim për atë nëse parimi për përfaqësim të barabartë hyn edhe në sektorin privat, diçka që paraprakisht e paralajmëroi zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, Artan Grubi.
“Lidhur me politikat ekonomike, Qeveria u ndihmon dhe do t’i ndihmojë kompanitë për punësim të të gjithë qytetarëve të papunë, përmes qasjes së barabartë ndaj të gjithë qytetarëve dhe kompanive të cilët kanë nevojë për ,mbështetje të tillë. Shoqëritë në kushte të krizës duhet të bazohen në krahasim të cilësive nga përkatësia tjetër, si dhe në mbështetje të bashkësive më të ndjeshme”, thonë nga Qeveria.
Sqarojnë se në pajtim me programin për punë të Qeverisë në pjesën për shoqëri të barabartë është cekur se: “Qeveria do ta thirr, inkurajojë dhe do të bashkëpunojë me sektorin afarist, d.m.th. kompanitë vendore dhe të huaja t’i mbështesin marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe vlerat e tolerancës, përfaqësimin dhe besimin e ndërsjelltë edhe në ,mjediset e tyre të punës, në mënyrë që të shfrytëzohet i tërë potenciali njerëzor me të cilin disponon vendi ynë”.
Paraprakisht, Grubi paralajmëroi subvencionim të punësimeve në sektorin privat të pjesëtarëve të bashkësive të tjera etnike në vend, por tha se nuk dihet se kur do të realizohet kjo.
“Ende nuk kemi menduar për masat, dje gjatë debatit u shqyrtuan ide të ndryshme në cilën mënyrë mund të ndihmohet përfaqësimi i drejtë i të gjitha bashkësive edhe në kompanitë private, posaçërisht në ato ku edhe shteti ka pjesëmarrje, nëse sipas kritereve të shpërndarjes së punës, nëse përmes subvencionimit, megjithatë mbetet të shihet cili është opsioni më i mirë në mënyrë që të kemi edhe përfaqësim të drejtë dhe adekuat të të gjitha bashkësive edhe në sektorin privat”, tha Grubi, i cili konsideron se numri i përfaqësimit të bashkësive në kompanitë private është shumë i vogël.