Zaev sot merr mandatin

22

Presidenti Stevo Pendarovski sot do t’i japë mandatin për formimin e Qeverisë kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev, partia e të cilit si pjesë e koalicionit “Mundemi” ka marrë më shumë mandate në zgjedhjet e 15 korrikut. Nga kabineti i presidentit thonë se Zaev e ka njoftuar presidentin Pendarovski që negocion me më shumë parti për formimin e Qeverisë.

Ndërkohë dje presidenti i shtetit në kumtesë për mediat ka njoftuar se shuhen të gjitha mëdyshjet edhe për konstituimin e Kuvendit. Deklaratave të bëra ditë më parë nga kryeparlamentari në largim Talat Xhaferri si dhe nga deputetja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska se Kuvendi ende nuk është konstituuar, kabineti i presidentit i kundërpërgjigjet se në konsultim me ekspert të fushës, kanë konstatuar se që Kuvendi të llogaritet i konstituuar nevojitet vetëm verifikim i mandateve të deputetëve, e jo zgjedhja e dikujt.

Nga presidenti thonë se këtë e dëshmojnë edhe praktikat në vitet e kaluara, kur në pushtet kanë qenë parti të ndryshe, më konkretisht me dokumentet për njoftim të presidentit nga ish-kryeparlamentari Trajko Veljanovski në vitin 2016, si dhe nga Stojan Andov në vitin 2006.

Presidenca:

“Esenca e pjesëmarrjes në zgjedhje është që dikush nga subjektet politike të arrijë në pozitë për të konstituar pushtet, kështu që presidenti pret që në afat prej 10 ditëve nga konstituimi i Kuvendit ta ndajë mandatin për kandidatin e partisë ose partive që kanë shumicë në Kuvend”.

Nga ana tjetër, LSDM në kumtesën për mediat, shprehet e bindur se kryetari i partisë Zoran Zaev do të jetë mandatari i qeverisë së ardhshme katër vjeçare.

LSDM:

“Në vijim janë negociata serioze për formimin e shumicës parlamentare stabile dhe koalicionit qeverisës me mandat stabil dhe të plotë katër vjeçar. Për shkak se politikat e suksesshme të LSDM-së dhe Qeverisë që e udhëhoqi u dëshmuan edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare”.

Megjithatë, partitë ende heshtin ndaj informatave jozyrtare se negociatat mes LSDM-së dhe BDI-së kanë ngecur tek çështja e kryeministrit shqiptar. Nga LSDM thonë se bisedimet vazhdojnë dhe ka kohë deri të premten për tu arritur marrëveshje, ndërsa nga BDI nuk japin informata. Partitë heshtin rreth informatave jozyrtare se LSDM dhe BDI janë larg arritjes së marrëveshjes.

ALSAT nga burimet brenda partisë, mëson se negociatat kanë ngecur tek çështja e kryeministrit dhe formulës për të, që vitin e parë të mandatit kryeministri të jetë i BDI-së dhe tre vitet tjera i LSDM-së. Po ashtu në tryezë është hedhur edhe propozimi që derisa kryeministri të jetë i BDI-së kryeparlamentari i LSDM-së dhe kur LSDM të ketë kryeministrin, BDI të ketë kryetarin e Kuvendit.

Këto kërkesa të BDI-së janë të papranueshme për LSDM-në dhe kjo ka bërë që partitë të mos kenë avancim në negociata as për ndarjen e ministrive dhe resorëve të tjera në pushtet. Nuk është e qartë nëse BDI-ja do të shkonte edhe në opozitë në rast të mos përmbushjes së kërkesës së saj. Por edhe nëse LSDM-ja do të lëshonte pe për të mos humbur 15 deputetët e nevojshëm për formimin e shumicës së re.

Ndryshe, liderët e LSDM-së dhe Alternativës, Zoran Zaev dhe Afrim Gashi gjatë ditës së djeshme kanë realizuar një takim privat. LSDM njoftoi se liderët e dy partive nuk kanë biseduar për formimin e qeverisë së re.

Comments are closed.