Kryeministri Zoran Zaev në kuadër të aktiviteteve gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, dje u takua me kolegen norvegjeze Erna Solberg, e cila i përshëndeti hapat reformuese të Qeverisë së re të Maqedonisë, kumtoi sot shërbimi qeveritar për media. “Norvegjia e mbështet Maqedoninë në integrimet”, ka theksuar kryeministrja Solberg, e cila në hapat demokratike të Qeverisë dhe bashkëpunimin rajonal shikon perspektiva për Republikën e Maqedonisë.
Sipas kumtesës, kryeministrja e Norvegjisë, Solberg, veçanërisht është interesuar për reformat që bëhen për sigurimin e një shteti ligjor. “Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në bashkëpunim me opinionin ekspert dhe qytetar filloi reforma në sistemin gjyqësor që duhet të kontribuojnë ndaj gjyqësisë së pavarur. Ky është obligim për integrimet euro-atlantike, por do të kontribuojë shumë edhe në shtetin tonë, në kthimin e besimit te qytetarët se drejtësia është e mundshme dhe e disponueshme për të gjithë dhe ne jemi të gatshëm për ta mundësuar këtë”, ka thënë kryeministri Zaev.
Potencoi se reformat në gjyqësi janë një prej aktiviteteve të Planit të Qeverisë për harmonizim me standardet evropiane dhe sigurimin e jetës cilësore për qytetarët. Zaev tha se Maqedonia nga një vend me izolim u bë prijës i iniciativave për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar dhe pritjet janë se politikat e tilla do t’i hapin dyert e Republikës së Maqedonisë drejt qëllimeve strategjike, NATO dhe BE. Kryeministrja norvegjeze i ka vlerësuar si të rëndësishme angazhimet e Maqedonisë për thellimin e marrëdhënieve midis vendeve në rajon.
“Norvegjia është e interesuar për ngjarjet në Ballkan dhe është e gatshme të kontribuojë ndaj rajonit stabil”, ka thënë kryeministrja Solberg e cila në udhëheqësitë e Ballkanit shikon mundësi të sigurojnë një ardhmëri të tillë. Në takimin e Zaev dhe Solberg u bisedua edhe për kushtet e krijuara për intensifikimin e bashkëpunimit me Mbretërinë e Norvegjisë në fushat nga interesi i qytetarëve të dy shteteve.