Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, me ftesë të Kongresit të Partisë së socialistëve evropianë (PES), ishte folës në panelin kushtuar liderëve të rinj të Evropës që sot u mbajt në Lisbonë, Portugali, në suaza të vizitës së tij të punës në këtë vend.
Siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, në panel, të cilin e moderoi kryetari i sapozgjedhur i PES-it, Sergej Stanishev, ish-kryeministër i Bullgarisë, dhe në të cilin mori pjesë edhe ministrja për Çështje Evropiane e Suedisë, An Linde, kryeministri Zaev, në paraqitjen e tij shkurtimisht i përshkroi ngjarjet dhe shkaqet që i shkaktuan, dhe të cilat “shtetin e robëruar” të Republikës së Maqedonisë, siç e njohën liderët evropianë dhe botërorë deri në vitin 2016, e kthyen në rendin e vendeve demokratike dhe përparimtare. Me mbështetjen e madhe në zgjedhjet e vitit 2016, në skenën politike të vendit filloi veprimi i koalicionit të ri në pushtet, i kryesuar nga LSDM, e cila, tha, e ktheu shpresën, i hapi dhe përshpejtoi proceset euroatlantike të cilat ishin të bllokuara dhe i thelloi dallimet mes fqinjëve në rajon.
“Paralelisht me reformat vendore, lartë në prioritete i vendosëm edhe çështjet e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Që në tre muajt e parë e nënshkruam Marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë. Oponentët tanë politikë reaguan ashpër, por populli pa se marrëveshja është e mirë. Së shpejti erdhën edhe rezultatet. Bashkëpunimi ekonomik fitoi dinamikë. Projektet në plan kulturor, në arsim, bashkëpunimin tejkufitar, treguan se ajo që deri atëherë e kemi pasur ka qenë vetëm koha e humbur dhe mundësitë e lëshuara”, theksoi kryetari i Qeverisë së RM-së, Zaev.
Në vazhdim të debatit në panel, kryeministri Zaev foli edhe për Marrëveshjen e Prespës me të cilën Republika e Maqedonisë dhe Republika e Greqisë arritën marrëveshje historike për miqësi dhe bashkëpunim, dhe me të cilën për vendin tonë u hapën dyert për anëtarësimin tonë të shpejtë në BE dhe në NATO.
“Punuam shumë në këtë marrëveshje me kryeministrin Cipras dhe me ekipet tona. Gjithsesi, ishte e madhe mbështetja nga miqtë tanë nga BE-ja, NATO-ja dhe nga të tjerët nga komuniteti ndërkombëtar. Me rëndësi të madhe në arritjen e atmosferës miqësore gjatë mbajtjes së negociatave ishte afërsia e përcaktimeve tona politike, konceptet social-demokratike dhe ato socialiste politike të kolegut Cipras, dhe të mijat. Tani jemi afër zbatimit përfundimtar të marrëveshjes me Greqinë dhe pres që deputetët në Kuvend ta verifikojnë dimensionin historik të këtij procesi”, tha kryeministri Zaev.
Ai foli edhe për reformat vendore dhe informoi se vlerat themelore social-demokratike siç janë rroga e lartë dhe e garantuar minimale, politika e drejtë tatimore, politikat sociale për drejtësi sociale, si dhe shumë të tjera, janë sendërtuar në politikat reformuese të qeverisë që e kryeson.
Ministrja Linde i transmetoi përshtypjet nga trupat e BE-së ku Republika e Maqedonisë njihet si vend, i cili, siç ceket, për dy vite jo të plota, nga një vend në stagnim, u transformua në vend i cili me reformat arriti të qëndrojë në linjën e parë të vendeve-anëtare të ardhshme të BE-së.
Duke e mbyllur panelin në të cilin foli edhe kryeministri Zaev, kryetari Stanishev theksoi se partitë evropiane social-demokratike dhe socialiste e mbështetën kryeministrin e Maqedonisë në luftën e tij për demokraci, dhe se krenohet që ishin pjesë të atij procesi, qëndron në kumtesë.