Shkup, 10 tetor – Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut janë mike dhe partnere të mira. Në Slloveni dëshirojmë sa më shpejtë ta shohim vendin tuaj në NATO dhe BE dhe shpresojmë se Maqedonia e Veriut në tetor do të fillojë negociata për anëtarësim në BE. Ky është projekt i yni i përbashkët. Dëshirojmë që vendi të marrë mirënjohje për rezultatet e arritura, porositi kryeministri slloven, Marjan Sharec, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev.
“Themel i të gjitha marrëdhënieve është të kuptohemi me njëri-tjetrin. Në Slloveni sinqerisht besojmë në anëtarësimin tuaj në NATO dhe BE.
Theksoi se arritja e Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshja me Bullgarinë, si dhe reformat tregojnë se kjo Qeveri është e përgatitur që qytetarëve të vet t’u mundësojë të ardhme euroatlantike.
“Pritjet e Maqedonisë së Veriut janë të mëdha, por meritore. Fillimi i negociatave do të thotë gjysma e rrugës së filluar. Rruga do të jetë e gjatë, por Sllovenia do të ndihmojë siç ka ndihmuar edhe deri më tani”, deklaroi Sharec.
I pyetur se çka do të bëhet me Francën, Sharec përsëriti se Sllovenia e mbështetë vendin tonë, por se nuk e din se çka mund të bëhet.
“Për Parisin besoj dhe dëshiroj që deri atëherë do të mbisundojë qëndrimi se Maqedonia e Veriut meriton fillim të negociatave. Më shumë nuk mund të them, por besoj se do të mbisundojë qëndrimi se Maqedonia e Veriut është e pjekur për fillim të negociatave. Ato negociata nuk do të jenë të lehta dhe do të jenë të gjata, por fillimi është gjysma e rrugës”, deklaroi Sharec.
Kryeministri Zaev potencoi se Sllovenia është mikja dhe mbështetësja jonë e madhe.
“Republika e Sllovenisë është investuesja e pestë më e madhe me 375,9 milionë euro investime të drejtpërdrejta të huaja. Kjo tregon se investimet sllovene janë pjesë e pandashme e ekonomisë sonë”, deklaroi Zaev.
Miqësinë, theksoi Zaev, e treguam edhe në kohë më të vështira si kriza e emigrantëve, kur Sllovenia na ofroi ndihmë të madhe.
“Pritja jonë është se pas 10 viteve, përfundimisht, me reforma të përfunduara dhe shembull për marrëdhënie të mira fqinjësore, do të fillojmë negociata. Me të vërtetë nuk presim një nga shembujt më pozitiv të Ballkanit dhe Evropës të ndëshkohet dhe t’i kthehet nacionalizmit”, deklaroi Zaev.
Aspirata jonë, theksoi Zaev, nuk është menjëherë të jemi vend anëtar, por t’i fillojmë negociatat, duke shprehur bindje se vendet të cilat nuk kanë qëndrim të pastër për fillim të negociatave me vendin tonë, është vetëm për shkak të debateve të brendshme.
Zaev dhe Sharec do ta vizitojnë Kota 59 në kufirin jugor, ku do të realizojnë takim me kontigjentin e oficerëve të policisë sllovene. (koha.mk)