Shkup, 7 maj – Xhezair Shaqiri mund të ndihmojë shumë nëse paraqiten grupe të caktuara ekstremiste apo radikale në territorin ku jeton, ku e njeh terrenin, ndërsa mundet edhe në ndërtimin e konceptit “një shoqëri për të gjithë”.
Këtë e deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me emërimin e Shaqirit për këshilltar të tij për siguri të brendshme dhe radikalizëm.
“Ai është qytetar i Republikës së Maqedonisë. Në pjesën e risocializimit të përgjithshëm apo konsolidimit në shoqërinë tonë dhe në lidhje me konceptin një shoqëri për të gjithë, unë nuk i ndaj qytetarët e Maqedonisë. Besoj absolutisht se secili mund të angazhohet diku si bashkëpunëtor, diku si këshilltar, diku drejtpërdrejtë i punësuar në institucionet publike nëse mund të ndihmojë”, tha Zaev pas seancës së sotme për “Ryshfet”.
I pyetur pse Shaqiri nuk është angazhuar në Stacionin e policisë në Tanushë, por është emëruar këshilltar, tha se nëse një person me të kaluar si ai emërohet në Stacionin e policisë në Tanushë, kjo mund të shkaktojë edhe pakënaqësi.
“E dimë se në atë kohë, policia e Maqedonisë ka luftuar kundër njerëzve që janë vendosur në luftën kundër policisë së Maqedonisë dhe ai vlen si një kandidat. Besoj se mund të jetë ndihmë e drejtpërdrejtë e kryeministrit sepse edhe veten e konsideroj nga bartësit e parë të konceptit “një shoqëri për të gjithë”, ndërsa edhe një nga përgjegjësit që duhet të mbajnë llogari për shtetin për parandalim të çfarëdo qoftë ekstremizmi apo radikalizmi”, tha Zaev.
Në pyetjen ku i ka realizuar takimet me Shaqirin, Zaev tha se kanë qenë në Qeveri, ku kanë pirë kafe, kanë biseduar dhe logjikisht është logjike kjo sepse edhe ai është qytetar i Republikës së Maqedonisë.