Zaev: Rrjeti 5G do të shkaktojë efekte shumë më pozitive se sa energjia elektrike

93

Shkup, 23 tetor – Kur flasim për digjitalizimin si për revolucionin e katërt, rrjeti 5G do të shkaktojë efekte shumë më pozitive se sa paraqitja e energjisë elektrike dhe do të jetë instrument për transformim, përkatësisht digjitalizimin e industrive tradicionale, ka thënë sot kryeministri Zoran Zaev pas nënshkrimit të Memorandumit të mirëkuptimit për sigurinë e teknologjive 5G, me nënsekretarin për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin Jetësor të SHBA-së, Keit Kraç.

Kryeministri ka thënë se me Memorandumin, RMV dhe SHBA e konfirmojnë dëshirën e tyre për të forcuar bashkëpunimin lidhur me zbatimin e teknologjisë 5G që siç tha ai, “është në përputhje me planin tonë kombëtar të cilin e miratuam vitin e kaluar si dokumentin tonë strategjik të epokës së re të digjitalizimi i vendit”.

“Republika e Maqedonisë së Veriut, si vend kandidat për anëtarësim në BE ka për detyrë të harmonizojë politikat kombëtare për zhvillimin e komunikimeve elektronike me politikat e BE-së, si dhe politikat tona të aspekteve të sigurisë në implementimin e teknologjisë 5G me partnerin tonë strategjik dhe aleatin në NATO, SHBA-në”, ka thënë kryeministri.

Nga ana tjetër, Kraç falënderoi Zaevin për, siç tha “vizionin e tij, liderizmin dhe miqësinë”.

“Maqedonia e Veriut është partner i jonë strategjik i vlefshëm dhe kjo ceremoni e nënshkrimit është dëshmi e miqësisë së fuqishme midis dy vendeve tona”, ka thënë Kraç.

Ai theksoi se rrjetet do të jenë me rëndësi vitale për prosperitetin ekonomik dhe stabilitetin në rajon.

“Rrjeti i pastër është qasje gjithëpërfshirëse që të adresohen kërcënimet afatgjate për privatësinë, sigurinë, bashkëpunimin dhe të drejtat e njeriut”, tha Kraç, duke shtuar se misioni i tij është të sjellë sa më shumë investime private në RMV.