Shkup, 17 qershor – Perspektiva e qartë evropiane e Maqedonisë së Veriut është nga vlera e madhe për Bullgarinë dhe realizimi i saj konkret është në bashkëngjitje të së ardhmes së përbashkët të të dy vendeve në BE.
Kjo, siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, është theksuar në takimin e kryeministrit Zoran Zaev me presidentin bullgar Rumen Radev në Sofje. Në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.
Në takim ishte theksuar se vizita e delegacionit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në Bullgari në nivel më të lartë, është nga vlera e jashtëzakonshme dhe vjen në momentin kur dinamika e fuqishme e kontakteve dhe dialogut është nga vlera e madhe për marrëdhëniet midis dy vendeve.
Kryeministri Zaev theksoi se ndërtimi i miqësisë ndërmjet popujve vëllazëror të të dy vendeve është obligim i liderëve të cilët para vetes duhet ta kenë perspektivën e të rinjve.
Vetë vizita e sotme e delegacionit qeveritar të Maqedonisë së Veriut në Sofje mund të konsiderohet si një hap i rëndësishëm i cili do t’i nxitë hapat e ardhshëm për zgjidhje të çështjeve të hapura në të cilat të dy palët do të përkushtojnë vëmendje serioze, citohet në kumtesë.
Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Sofja, Kabineti i Radevit informon se në fokus të bisedave të takimit ka qenë thellimi i dialogut bilateral dhe perspektivat për përparim real në procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Radev ka theksuar se për Bullgarinë, Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi miqësor më i afërt i rëndësishëm.
“Për këtë na nevojiten kontakte të regullta, dialog dhe bashkëpunim. Për fat të keq, viteve të fundit këto marrëdhënie arritën në qorrsokak, dialogu është ngrirë dhe kjo ka ndikuar në perspektivat tuaja për hyrje në BE”, ka theksuar Radev.
Sipas tij, Marrëveshja për bashkëpunim në vitin 2017 nuk ka kushte dhe afate obligative specifike, dhe kjo ka mundësuar “vendime dhe aktivitete të ndryshueshme”.
Rumen Radev në takim ka dërguar edhe falënderim të presidentit Stevo Pendarovski për vizitën e përbashkët në Romë.
“Vizita jonë e përbashkët në Romë e demonstron vullnetin tonë të përbashkët dhe paraqet sinjal deri te të gjithë qytetarët tanë për bashkëpunim, miqësi dhe mirëkuptim”, potencon Radev.
Sipas Radevit, autoritetet në Sofje dhe në Shkup janë të detyruara t’u sigurojnë të ardhme të përbashkët evropiane popujve të tyre.
“Për ne është shumë e rëndësishme të kemi dialog dhe u uroj në faktin që jeni këtu për dialog të hapur, konstruktiv”, shtoi Radev duke paralajmëruar se Bullgaria do të dhurojë 50.000 vaksina për Maqedoninë e Veriut.