Shkup, 14 shtator – Kryeministri Zoran Zaev sot e vizitoi Qendrën e sapo hapur Kulturore Informative të Maqedonisë Veriore në Tiranë pas një dreke pune të liderëve të Ballkanit Perëndimor me kancelaren gjermane Angela Merkel. Zaev, në një deklaratë për mediat tha se hapja e kësaj qendre kulturore do të kontribuojë në popullarizimin dhe prezantimin e traditës, kulturës dhe artit të vendit tonë në Shqipëri, dhe do të ofrojë informacion në kohë dhe origjinal për qytetarët rreth vijimësisë aktuale kulturore në shtetin tonë.
“Me hapjen e Qendrës Kulturore-Informative maqedonase këtu në Tiranë, ne kemi shtuar një lidhje tjetër në spektrin e gjerë të bashkëpunimit dhe forcimit të miqësisë në mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Falë mbështetjes së kryeministrit Edi Rama, si dhe vullnetit të fortë për të zbatuar këtë projekt në Ministritë e Punëve të Jashtme dhe Kulturës të të dy vendeve, Qendra Kulturore Informative e Maqedonisë së Veriut në Tiranë filloi të funksionojë. Ne kemi zbatuar me sukses një ide që kemi filluar ta hartojmë dhe ndërtojmë që nga fillimi i mandatit të kësaj Qeverie në vitin 2017”, tha Zaev.
Ne ishim të vendosur për të filluar të shkruanim faqe të reja miqësie mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, shtoi ai.
“Ne e pranuam se me një program kulturor më intensiv dhe më të larmishëm mund të japim një kontribut serioz në pasurimin dhe modernizimin e marrëdhënieve tradicionalisht të mira mes dy vendeve”, tha Zaev.
QKI në Tiranë, sipas tij, do të jetë urë për afrimin dhe njohjen reciproke midis popujve të dy vendeve, do të jetë vend për takime dhe vend për të inicuar ide të reja për aktivitete të shumta reciproke në fushën e kulturës në muzikë, skenë, dramë, veprimtari letrare dhe botuese, fushë tjetër për prezantimin dhe afirmimin e pjesëmarrjes tradicionale të poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë në ngjarjet letrare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, siç janë “Mbrëmjet e Poezisë të Strugës” ose për prezantimin e letërsisë maqedonase në Panairin Internacional të Librit në Tiranë.
“Në Qendrën Kulturore Informative në Tiranë, maqedonasit në Shqipëri marrin vendin e tyre ku ata janë gjithmonë të mirëpritur të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me proceset kulturore dhe të tjera në Maqedoninë e Veriut. Me këtë rast, dua të theksoj se ne do të bëjmë gjithçka të nevojshme për të përshpejtuar procesin e hapjes së Qendrës Kulturore Informative të Shqipërisë në Shkup”, tha Zaev.
Ne duam, theksoi ai, të vendosim reciprocitet për prezantimin e kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur duke organizuar ngjarje të ndryshme, ekspozita, ligjërata letrare dhe shkencore, shfaqje filmash, promovim të mediave dhe ofrim të shërbimeve të informacionit për qytetarët e interesuar.
“Këto nisma janë shprehje serioze e miqësisë së thellë dhe të sinqertë midis dy vendeve. Ato janë një shprehje e shpirtit evropian që ushqehet dhe afirmohet në mënyrë autentike nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut si vende fqinje që respektojnë dhe praktikojnë së bashku vlerat evropiane për fqinjësi të mirë. Këto vlera janë dëshmi se të dy vendet janë pjesë e familjes evropiane, se ata i përkasin atje dhe se me shumë kritere të plotësuara ata formalisht meritojnë vendin e tyre në shtëpinë e përbashkët – Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Zaev.