Shkup, 27 dhjetor – Konkurset për punësime në shtet janë transparente, ndërsa ligjet janë po ato me të cilat punonte edhe kjo edhe qeveritë paraprake, u përgjigj sot kryeministri Zoran Zaev në pyetjen e deputetëve në Kuvendin e RM-së. Ai u pyet për politikën kadrovike të LSDM-së dhe nëse në institucionet e shtetit punësohet vetëm sipas partive.
“Punësimet janë transparente dhe nuk janë të politizuara por realizohen për shkak të deficitit të kuadrove. Kompanitë private edhe për ata me shkollë të mesme tashmë japin paga më të larta se në institucionet publike. Administrata publike sot numëron më pak të punësuar se në pranverën e vitit 2016. Plotësohen vetëm vendet vakante, ndërsa edhe këto vende nuk janë plotësuar. Janë hapur më shumë se 47.000 vende të reja pune nga tetori i vitit 2018 prej të cilave pjesa më e madhe janë në sektorin privat”, theksoi Zaev dhe informoi se për një vit ka 18 investime të reja të huaja në zonat ekonomike dhe rreth 10 deri në 30 jashtë këtyre zonave që janë pjesë e bujqësisë dhe veprimtarive të tjera.
Zaev u përgjigj edhe për punësimin e zëvendësdrejtorëve në ndërmarrjet publike për të cilët tha se kjo bëhet për shkak që të rritet efikasitetit në vetë institucionet.
“Po përpilohet ligj për pozita të larta drejtuese i cili duhet që të japë kontribut që të mund të përforcohet profesionalizmi dhe përgjegjësia politike e pozicioneve që parashtrohen nga pushteti ekzekutiv”, tha Zaev.
Lidhur me pyetjen për programin “Garanci rinore”, kryetari i Qeverisë tha se ky projekt edhe pse eksperimental në tre komuna, jep rezultate dhe se tashmë 1.200 të rinj janë punësuar. Prej tyre, tha, një numër i madh këtë e kanë shfrytëzuar për arsimimin e tyre por e kanë shfrytëzuar edhe veglën për trajnim, ndërsa për realizimin e kësaj janë përfshirë një numër të madh të kompanive midis të cilave edhe investues gjermanë. Zaev paralajmëroi se vitin e ardhshëm “Garancia rinore” do të zgjerohet më tepër dhe se do të ketë rezultate më të mëdha.