Shkup, 25 prill – Çebren dhe Galishtë do të jetë investim më i vogël prej rreth 220 milionë eurosh, ndërsa jo aktivitet megalomanik. Maqedonia vetë do ta realizojë sepse është financiarisht stabile, likuiditeti dhe pagesat janë rritur, ndërsa ka edhe shumë mjete në bankat vendore, tha sot kryeministri Zoran Zaev.
Zaev pret që bankat të ofrojnë kredi më të përshtatshme. Në të kundërtën, vendi do të jetë i obliguar të sigurojë para nga jashtë.
“Më shumë se dhjetë herë tenderët nuk patën sukses. U nisëm në bazë reale. Vlerësimi i investimit është rreth 220 milionë euro. Jemi të bindur se ELEM-i si shtyllë kryesore të prodhimtarisë së energjisë elektrike, mund ta bartë këtë kapacitet së bashku me Qeverinë dhe gjithë institucionet. Do të hyja në një proces të bisedimeve me të gjitha bankat. Presim që të formojnë konsorciume dhe të gjithë të plasojnë mjete, shpresoj konkurrente sepse nuk e kemi obligim të marrim para nga vendi. Nëse nuk japin interes të ulët, do të marrim para nga jashtë, por besoj se mund të jenë konkurrente”, sqaroi Zaev pas nënshkrimit të Programit vjetor për punësim.
Menjëherë pasi që të sigurohet financimi, do të ftohen të gjitha kompanitë ndërtimore në Maqedoni të cilat mund të punojnë projekte të tilla.
“Ndërtimi do të zgjaste prej pesë deri tetë vite sepse bëhet fjalë për projekt serioz edhe në pjesën e prodhimtarisë së energjisë elektrike dhe në pjesën e furnizimit me ujë të gjithë rajonit ku akumulimi i ri do të mund të ishte për zhvillim të bujqësisë dhe aktiviteteve të tjera në Maqedoninë Qendrore”, tha kryeministri.