Shkup, 9 maj – Kryeministri Zoran Zaev sot e pranoi se nuk ka asgjë kontestuese dhe të paligjshme në atë që vëllai i tij është shfrytëzues i tokës ndërtimore shtetërore në Strumicë, që e ka fituar derisa ka qenë kryetar komune në Strumicë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas përfundimit të seancës së sotme për rastin “Ryshfeti” Zaev tha se procedura për shitblerjen e tokës ka qenë transparente dhe ligjore, për çka dje edhe LSDM-ja edhe Komuna e Strumicës i përgënjeshtruan akuzat e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
“Familja ime nuk ka asgjë për të fshehur. Ne gjithçka që kemi është këtu në Maqedoni dhe ajo është publike dhe gjithmonë në dispozicion”, tha Zaev.
Në pyetjen se sa vëllai i tij Vice Zaev ka përfituar nga ndërtimi i ndërtesës në këtë vend, Zaev u përgjigj se ka përfituar aq sa ka investuar.
“Aq sa di unë as 60 për qind nga paratë të cilat janë investuar në këtë investim nuk janë kthyer, sepse duhet kohë për t’u bërë pagesa, shitja e banesave…”, tha Zaev.
Ai shtoi se bëhet fjalë për shitblerje të tokës dhe në këtë biznes duhet të kalojnë vite, madje pas 20 deri 30 vjet që ky investimi të paguhet.