Shkup, 19 korrik – Kryeministri Zoran Zaev pret që njerëzit e parë të partive opozitare VMRO-DPMNE dhe BESA, Hristian Mickoski dhe Bilall Kasami do të dalin me qëndrim të përbashkët nga takimi i sotëm që mbahej paralelisht me konferencën e tij për shtyp në Qeveri dhe se do ta mbështesin Propozim-ligjin e ri për Prokurorinë publike.
“Sipas të gjitha gjasave do të dalin me qëndrim të përbashkët se tani është koha të qëndrojmë dhe të mbështesim diçka për të cilën angazhohet edhe opozita”, thotë Zaev.
Zaev në konferencën për shtyp në Qeveri, sqaroi se me vendimin ligjor propozohet që Prokuroria Speciale publike të integrohet në Prokurorinë e tanishme publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila do të marrë emrin Prokuroria publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.