Shkup, 29 qershor – Me datën e përcaktuar nga Bashkimi Evropian, nga fundi i korrikut fillon procesi i skriningut, ndërsa në qershor të vitit të ardhshëm pres hapje të kapitujve, deklaroi kryeministri Zoran Zaev në intervistën nga Brukseli për Televizionin e Maqedonisë.
Referendumi për marrëveshjen me Greqinë, siç paralajmëroi, sipas gjitha gjasave do të mbahet nga fundi i shtatorit.
“Me caktimin e datës përfunduam, nuk ka kurrfarë dilemash. Fillon procesi i skriningut, paralajmëruam në gjysmën e dytë të korrikut. Kabinetet merren vesh, sipas gjitha gjasave do të jetë rreth 17 dhe 20 korrikut. Menjëherë pasi të kthehemi në Shkup do të vazhdojë procesi i skriningut, që të merremi vesh për të gjitha fazat dhe shpresoj se në qershor të vitit 2019 të fillojmë kapituj të rinj”, deklaroi kryeministri Zaev.
Kryeministri, në intervistë thotë se sekretari i përgjithshëm i NATO-s i ka sqaruar procedurat për anëtarësim në Aleancë.
“Saktë dihet edhe se ku do të qëndrojë flamuri i Maqedonisë. Me përfundimin e procesit të bisedimeve, i cili zgjat rreth tre muaj, Maqedonia fiton vend në tavolinë së bashku me vendet-anëtare të NATO Aleancës”, tha Zaev.
Ai shprehu bindje se me probleme të zgjidhura bilaterale, me ftesa të hapura për anëtarësim, me data të caktuara qartë, jo vetëm Qeveria, por edhe të gjitha institucionet në vend, si dhe qytetarët do të jenë të motivuar që të ofrojnë rezultate.