Zaev për kumtesën e Ivanovit: Duhet të ndihmojmë, e jo pengojmë

Shkup, 12 qershor  – Qytetarët janë ata të cilët do të vendosin në referendum, e gjithsesi unë si kryeministër dhe zotëri Gjorge Ivanov si president, duhet t’u ndihmojmë qytetarëve, e jo t’u pengojmë qytetarëve, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev pas hapjes së Biznes forumit – projekte investuese dhe mundësitë në sektoret transport, energjetikë dhe mjedis të jetesës në Republikën e Maqedonisë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për kumtesën e presidentit Ivanov lidhur me negociatat për emrin dhe vërejtjet e dërguara drejt tij për mënyrën se si po udhëhiqet procesi, Zaev tha se mbetet në parimet e tij, si çdoherë, duke ndërtuar bashkëpunim dhe duke shmangur grindje ose situata të pakëndshme.

“Ne politikanët duhet t’u shërbejmë qytetarëve dhe duhet të ndërtojmë bashkëpunime, ta përparojmë Maqedoninë në të gjitha perspektivat e saj. Në atë rast, unë besoj se ne do të kemi takime, aty mundemi t’i nxjerrim të gjitha argumentet, secili të veprojë në pajtim me kompetencat e veta dhe të mos harrojmë se këtu jemi vendosur nga qytetarët. Ata na vendosin, ata na ndërrojnë dhe në pajtim me këtë çështje të rëndësishme, kemi vendosur që prononcimi në referendum të jetë shumë i rëndësishëm”, tha Zaev.

Ai përsëriti se shpreson se mund të zgjidhet kontesti 25-vjeçar që do të mundësojë të bëhet hapërim drejt BE-së dhe hapërim drejt NATO-s.

Të gjitha këto frustracione që i pamë, të gjitha këto migrime të njerëzve të rinj që i pamë, janë faktet në Maqedoni dhe për to flet koha të cilën e kaluam të gjithë së bashku nga pavarësia e Maqedonisë, e deri sot. E dimë cilat janë perspektivat nëse zgjidhet problemi, e dimë se integrimet janë të realizueshme, e dimë se menjëherë bëhemi anëtare e NATO-s, e dimë se fillojmë negociata me BE-në. Tërë kjo është në dukje, e jona është të vendosim”, tha Zaev.

Ai thotë se do të bëjë çmos që të lidhet marrëveshje me Greqinë, e cila do të jetë dinjitoze dhe do ta ruajë identitetin dhe do t’i ruajë interesat e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, duke siguruar perspektivë euroatlantike.

“Flas publikisht, do të luftoj për këto qëndrime, por gjithsesi do të kem edhe respekt edhe për qëndrimet tjera. Me rëndësi është t’i ndjekim hapat dhe të mos e frenojmë Maqedoninë dhe Maqedonia të vendos ashtu siç vendosin të gjitha vendet demokratike”, deklaroi Zaev.

Në fund, siç tha, është me rëndësi për çështjen që qytetarët në referendum të prononcohen dhe në këtë aspekt apeloi deri te të gjithë faktorët politikë të jenë të kujdesshëm dhe t’u ndihmojnë qytetarëve, e jo t’u pengojnë në të drejtën demokratike të marrjes së vendimeve.