Shkup, 6 gusht – Lideri i LSDM-së dhe pretendent për formimin e Qeverisë së ardhshme të Maqedonisë, Zoran Zaev në një prononcim për gazetën KOHA, thotë se në vazhdë janë konsultimet me partitë politike për formimin e shumicës së re parlamentare, përfshirë këtu edhe BDI-në e Ali Ahmetit.
“Në vazhdë janë konsultat në formate të ndryshme, nëse ka ndonjë progres në bisedime, do ta informojnë opinionin. Për momentin mund të themi vetëm këtë – derisa po zhvillohen bisedimet, që mos vëmë në pikëpyetje suksesin e tyre”, deklaroi për gazetën KOHA, Zaevi.
Në anën tjetër, presidenti i Republikës, Stevo Pendartovski pret që liderët të arrijnë marrëveshja dhe ti drejtohen për marrjen e mandatit. “Sa i përket pyetjes se kur Presidenti do të ketë takime me partitë, ne do të presim rezultatin e bisedimeve që janë në vazhdim mes partive politike që kanë fituar deputetë në Parlament. Cilado parti ose koalicion i partive që siguron shumicën në Parlament, mund të kërkojë një takim me Presidentin për ta informuar atë për rezultatin e negociatave politike”, deklaroi për gazetën KOHA, Biljana Radeva, zëdhënse e presidentit Pendarovski.
Gazeta KOHA po ashtu mëson se së shpejti, Zaevi pritet të takojë edhe njëherë kreun e BDI-së, Ali Ahmeti me qëllim të gjetjes së një kompromisi për bashkëqeverisje, ndërkohë që bisedimet mes komisioneve partiake po vazhdojnë. (D.J/Koha.mk)