Zaev për incizimet në Jutjub: Edhe krahas asaj se BDI-ja nuk vlen as pesë para, me jetën time e kam mbrojtur jetën e Xhaferit

303

Shkup, 10 korrik – Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev sot u prononcua në profilin e tij në Fejsbuk lidhur me audio materialet e publikuara sot në Jutjub.

“BDI nuk vlen pesë pare në tregun e votave. Ky është qëndrimi im sot, ishte qëndrimi im edhe atëherë, në kohën kur u inçizua biseda e publikuar sot. Kishin 20 deputetë, u përgjysmuan në 10, në këto zgjedhje do të kenë edhe më pak. Sidoqoftë, përkundër faktit që BDI nuk vlen as për pesë pare, më 27 prill 2017, unë mbrova jetën e Talat Xhaferit me jetën time”, ka shkruar Zaev në Fejsbuk.

Ai thotë se ka treguar dhe dëshmuar dashurinë dhe respektin e tij për shqiptarët me vepra.
“Jo vetëm me fjalë por me vepra. E sollëm Ligjin për gjuhët, kujdesemi për të gjitha komunitetet, kam qenë i pari që u kam bërë thirrje maqedonasve që të votojnë për shqiptarët dhe shqiptarët për maqedonasit, kam qenë i pari që hapa partinë për zyrtarë të lartë shqiptar, isha i pari që formova një koalicion parazgjedhor me një parti shqiptare dhe personalisht dhe familjarisht jam i lidhur me shqiptarët, jam kumbar i Muhamed Zekirit dhe kjo është një kënaqësi e madhe për mua”, ka shkruar Zaev.
Ai më tej thotë se tërë opinioni dëgjoi se “nuk ka shqiptuar askund fjalën që është ofenduese për bashkëqytetarët e tij shqiptarë, por këtë e bëri bashkëbiseduesi në bisedën e inçizuar”.
“Një përpjekje e tillë e ulët dhe e dëshpëruar më nxit që të punoj edhe më shumë për konceptin „një shoqëri për të gjithë“, konceptin për të cilën unë jam udhëheqës. Do të vazhdoj ta bëj këtë, me respektin e duhur për të gjithë bashkëqytetarët e mi nga të gjitha bashkësitë etnike. Publikimi i këtij manipulimi të turpshëm dëshmon edhe një herë se vota për BDI është votë për Mickoskin dhe Gruevskin”, shton Zaev në profilin e tij në Fejsbuk.