Shkup, 2 dhjetor – Përgjegjësi duhet të ketë, ndërsa hetimi do të tregojë kush e ka dhënë urdhrin që në centralet e telefonit të vendoset sistem për përgjim, deklaroi sot në konferencë shtypi kryeministri Zoran Zaev pas publikimit të skandalit me përgjimin në prokurorinë publike.
Kryeministri Zaev, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, tha se nuk e di në cilin institucion shtetëror është furnizuar central i ngjashëm apo i njëjtë telefonik, por theksoi se personi drejtues në institucion vendos se çfarë do të përdoret nga centrali i vendosur telefonik.
Sipas informacioneve të tij, sistemi në Gjykatën Themelore Shkup 1 akoma nuk është vënë në funksion, por sistemi është vendosur.
“Se kush ka lejuar një sistem i tillë të vendoset? Në PP duhet të thotë prokurori publik i shtetit pasi vetë institucionet të cilat i ndryshuan strukturat e tyre drejtuese menjëherë hapën hetim. Alarmi i parë i cili arriti tek unë, ja edhe deri tek ministrja është të kontrollojmë gjithçka kemi vendosur apo instaluar në vetë institucionet. Bëhet fjalë për lokalet brenda, komunikimin e brendshëm… Presim përgjegjësi”, tha Zaev në konferencën e përbashkët me ministren e Drejtësisë, Renata Treneska Deskovska.
Ministrja Deskovska, tha se në Ministrinë e Drejtësisë para një periudhe të caktuar është furnizuar central telefonik dhe se për këto informacione të cilat rrodhën për gjykatat do të drejtohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme të shohë se çfarë centrali është furnizuar për Ministrinë e Drejtësisë.
Centrali telefonik në Gjykatën Themelore Shkup, konfirmoi ministrja e Drejtësisë, është furnizuar përmes Ministrisë në vitin 2015-2016 gjatë mandatit të ministrit Valdet Xhaferi. Deskovska tha se dokumentacioni i plotë do t’u dorëzohet institucioneve kompetente.
Për shkak të hetimit ajo nuk mund të japë më shumë detaje, por tha se specifikacionet teknike të cilat janë kërkuar janë publikuar në ueb faqen e Byrosë për Furnizime Publike dhe mund të shihen aty.