Shkup, 31 tetor – Konfirmim se Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja me sukses i mbajnë dhe përforcojnë partneritetin e vendosur strategjik në interes të qytetarëve të të dyja vendeve, si dhe në realizimin e qëllimeve të përbashkëta për prosperitet demokratik të rajonit edhe në aksionet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe dhunës ekstreme, është theksuar sot në takimin e kryeministrit Zoran Zaev me zëvendësndihmës sekretarin shtetëror të SHBA-së dhe i dërguar special për Ballkanin perëndimor, Metju Palmer, raporton KOHA.
Në takimin, në të cilin mori pjesë edhe ambasadorja amerikane, Kejt Meri Bërns, Zaevi ka shprehur mirënjohje për ratifikimin e Protokollit për aderimin e Maqedonisë së veriut në NATO në Senatin amerikan.
Zaevi theksoi se vendi edhe më tej mbetet i përkushtuar në procesin për integrim në BE dhe se në periudhën që pason do të vazhdojnë proceset e reformave, ruajtja e atmosferës relaksuese të marrëdhënieve ndëretnike, si dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët.
Në takim bashkërisht ishte konstatuar se është i palëkundur përcaktimi i vendit për proceset eurointegruese dhe se Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja e ndajnë optimizmin se do të përmbyllen me sukses.
Palmeri në takim e riafirmoi qëndrimin e qartë të SHBA-së se ta mbetet aleat i Maqedonisë së Veriut në rrugën deri në anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe në BE, si dhe përpjekjet dhe politikat e vazhdueshme të vendit për të siguruar kushte të qëndrueshme për një të ardhme prosperuese për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)