Shkup, 31 janar – Miqësia duhet që të ruhet, ndërsa të gjithë të jemi të kujdesshëm me deklaratat, theksoi kryeministri Zoran Zaev në seancën për pyetje nga deputetët, lidhur me atë nëse e shqetësojnë deklaratat e politikanëve fqinjë për bllokimin e mundshëm të proceseve eurointegruese të Maqedonisë, njofton Koha.
Siç tha, është optimist se Maqedonia në qershor do të marrë datë për negociatat dhe hapjen e kapitullit me Bashkimin Evropian.
“I zgjidhëm çështjet politike, duhet që t’i përfundojmë çështjet e brendshme para së gjithash me ligjet, kemi ” benxh marka” që duhet t’i plotësojmë, shpresoj se qytetarët do të përjetojnë edhe një implementim fizik me rezultate konkrete dhe me të vërtetë jam optimist se në qershor Maqedonia, shpresoj që edhe Shqipëria, të marrë datë për negociatat dhe hapjen e kapitujve”, tha Zaev, në përgjigjen e pyetjes të deputetit Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Sipas tij, shqetësuese janë disa deklarata të fqinjëve si dhe disa deklarata prej këtu drejtuar atyre, por miqësia duhet që të ruhet.
“Deklaratat nga Bullgaria jo se nuk më shqetësojnë, sigurisht që edhe disa deklarata prej këtu janë shqetësuese, por gjithmonë kemi synuar që t’i biem telefonit dhe të sqarohemi, ndonjë herë edhe të publikojmë status në fejsbuk siç bëra në verë, që të mundemi të distancohemi. Besoj se duhet që të kujdesemi dhe gjithsesi krenarinë time si maqedonas dhe si qytetar të Maqedonisë nuk dua të ma shkelë asnjë, kështu që miqësia duhet të ndërtohet në çfarëdo lloj mënyre”, tha Zaev.
Ai theksoi se sipas Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes nga Prespa, Greqia nuk duhet ta ndalojë Maqedoninë në avancimin në hapjen e kapitujve vetëm nëse për këtë japim arsye.
“Nëse kujdesemi për ndërtimin e miqësisë kushdo qoftë kryeministri i Greqisë sipas meje do të ndërtojë marrëdhënie të mira me fqinjët sepse në këtë mënyrë mund t’i përkushtoheni vendit dhe t’i zgjidhni problemet e qytetarëve tuaj”, tha Zaev. (koha.mk)