Kryeministri Zoran Zaev dje nga Struga porositi se pret që të gjendet zgjidhje për emrin, ndërsa kjo çështje ishte edhe temë kryesore në takimin midis kryepeshkopit Jeronimos dhe kryeministrit grek Aleksis Cipras. Zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit i SHBA-së për Evropë dhe Euroazi Hojt Brajan Ji, madje, në emisionin “Bota është biznes” në televizionin Blumberg në gjuhën bullgare, deklaroi se Maqedonia dhe Greqia kanë mundësi të vërtetë të arrijnë marrëveshje për të ashtuquajturën çështje për emrin. Ji shprehu bindje se ekziston vullnet politik, si në Athinë, ashtu edhe në Shkup, që të arrihet marrëveshje dhe të zgjidhet kjo çështje një herë e përgjithmonë.
Reagoi edhe Diaspora e Bashkuar e Maqedonisë (DBM), me kërkesë për dorëheqje të ndërmjetësuesit Metju Nimic për shkak të, siç theksoi, konflikt të interesave. DBM konsideron se me tentimin e fundit nga 17 janari i këtij viti për gjoja zgjidhje të kontestit, KB dhe Nimic vazhdojnë që ta shkelin Marrëveshjen e përkohshme nga viti 1995 dhe e shkelin Deklaratën universale për të drejtat e njeriut. “Unë jam optimist, besoj se mes dy vendeve, të cilat janë mike dhe kanë për qëllim të jenë edhe më të afërta, do të gjendet zgjidhje ku do të ruhet dinjiteti i të dyja palëve, ndërkaq do të jetë përfitim për qytetarët e të dy vendeve”, deklaroi Zaev në Strugë.
Sipas tij, thelbi i bisedimeve, propozimet, korniza që është dërguar nuk do të duhej të flitej publikisht në mënyrë që të mos shkatërrohen gjasat në negociata. “Po shihni se po zhvillohet proces transparent, dëshirojmë me konsensus nacional ta ndërtojmë zgjidhjen dhe në fund të qytetarët në referendum ta konfirmojnë, jam i bindur se nëse jemi të kujdesshëm, e edhe të mbajmë llogari edhe për palën greke, do të gjejmë zgjidhje për këtë çështje që po na mundon 25 vite”, theksoi Zaev.
Kryeministri edhe njëherë theksoi se do të ketë kujdes për identitetin dhe dinjitetin e popullit tonë dhe konfirmoi se tashmë është arritur marrëveshje për takim me kolegun e tij grek Cipras më datën 24 të këtij muaji në Davos. Kryeministri grek, sipas kumtesës zyrtare nga Kisha Kishtare Greke (KKG), e ka njoftuar kryepeshkopin Jeronimos për rrjedhën e negociatave dhe ka kërkuar nga ai që të kontribuojë që të sigurojë klimë të unitetit dhe përgjegjësisë kombëtare.