Zaev: Opozita s’do të ndihmonte në përballjen me pandeminë

15

Shkup, 20 tetor – Nuk do të ishte keq që qeveria aktuale të mendojë për një qeveri të zgjeruar teknike që më lehtë të përballet me krizën që sjellë pandemia, propozoi mbrëmë në ClickPlus, Sekretari Gjeneral i opozitares Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari.

“Kjo është situatë kur çdokush duhet të marrë përgjegjësi. Çdo parti politike duhet të merr përgjegjësi. Këtu ka implikime në ekonomi, në arsim, për shëndetësi të mos flasim. Nuk flas për periudhë të gjatë, por për periudhë deri sa të dalim prej situatës së pandemisë”, deklaroi Arben Taravari – Sekretar Gjeneral i Aleancës për Shqiptarët.

Ideja e Taravarit për qeveri teknike është që në të kyçen të gjitha partitë pa përjashtim, e të qëndrojë kështu deri kah vera kur mund të rikthehej Qeveria politike.

Kryeministri Zoran Zaev thotë se çdo propozim ia vlen të mendohet por nuk mendon se hyrja e opozitës në qeveri do të ndryshonte ndonjë gjë.

“Nëse arrin ndonjë propozim do ta rishikojmë. Nuk besoj në diçka më të rëndësishme nëse opozita hyn në qeveri dhe se do të rritet kapaciteti i shtetit. Pse?! Për shkak të papërgjegjësisë, sidomos flas për opozitën maqedonase?! Jo”, u shpreh Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri beson e koalicioni aktual mund të vazhdojë edhe me më guxim të çoj përpara proceset e rëndësishme.