Zaev: Opozita nuk ndihmoi në vendimet më të mëdha për shtetin

Kuamnovë, 25 mars – Marrëveshja me Greqinë është shembull i përsosur, model se si mund të kufizohen çështjet e identitetit dhe implementimi i saj tashmë po i sjellë rezultatet e para. Të gjithë e ndjejmë refleksionin. Tashmë askush nuk e konteston identitetin e maqedonasve dhe bashkësive  të tjera në shtet. Kemi shtet të pranuar nga të gjithë, tha kryeministri Zoran Zaev në tribunën e sotme në Kumanovë – “Shoqëri e drejtë-mundësi për të gjithë”.

Vendi, sipas Zaevit, është shembull për të tjerët, se si përmes marrëveshjes dhe dialogut zgjidhen probleme të mëdha, të komplikuara. Krijoi model me të cilin përforcohen marrëdhëniet e mira fqinjësore. Por, opozita nuk ndihmoi në vendimet më të mëdha për shtetin.

“Kjo diplomaci është për shkak të qytetarëve, për vendin, për gjeneratat e ardhshme, që të ketë jetë në vendin tonë, ndërkaq kumanovarët e dinë se sa me rëndësi është të jemi të integruar në NATO, të jemi përherë stabil dhe të sigurt. Kumanova e din edhe nga historia e edhe nga koha më e re se sa është e rëndësishme paqja. Jemi pjesë e aleancës më të madhe të sigurisë në botë, do të jemi vendi i tridhjetë anëtar i NATO-s”, theksoi kryeministri.

Ai shfaqi shpresë se deri në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm shteti do të marrë anëtarësimin e plotë në NATO, duke shtuar se vendi është shembull në botë, se si përmes dialogut ndërtohet miqësia dhe sigurohen perspektiva për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme.

“Maqedonia e Veriut nuk ka çështje të hapura me fqinjët. Arrijnë edhe rezultatet e para ekonomike gjashtë muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes. Janë thyer rekordet e investimeve të huaja. Vitin e kaluar e përfunduam me 624,5 milionë investime të huaja, që është për katër herë shumë më e madhe në krahasim me vitin 2017. Po rritet edhe bruto prodhimi vendor. Presim në tremujorin e parë të vitit 2019 ta depërtojmë tavanin psikologjik prej katër për qind, të kemi rritje”, potencoi Zaev.

Vlerësoi edhe se po rritet industria, se është ulur papunësia.

“Për një vit janë punësuar 26.000 qytetarë. Kjo është dëshmi se vendi po lëvizë në drejtim të duhur. Ju bind se me atë trend do t’i kalojmë edhe pesë për qind të BPV-së, do të rriten rrogat, vitin 2018 e përfunduam me gjashtë për qind rrogë më të madhe mesatare”, theksoi kryeministri dhe u bëri thirrje të gjithëve të punojnë së bashku, Qeveria, komuna, sektori privat, në mënyrë që të sigurohet jetë më cilësore.

Foli edhe për infrastrukturën, për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, si dhe për problemin me punëtorët e falimentuar, duke cekur se është zgjidhur. Prej një korrikut, shtoi, fillon modeli për kthim të TVSH-së së qytetarëve, ndërsa këtë vit ka edhe 47 për qind para më shumë për bizneset.

“Shteti financiarisht është stabil. Janë caktuar 50 milionë euro për ndihmë komunave. Për rrugë lokale janë dakorduar 70 milionë euro, ndërsa Kumanova do të fitojë mjete të konsiderueshme sepse është komuna më e madhe në shtet”, tha Zaev dhe ceki disa projekte lokale, për furnizimin me ujë nga Likova drejt Kumanovës, ujëmatës, rikonstruim të sistemit të furnizimit me ujë, kanalizim në Trekëndësh, stacion filtrues në Likovë, sistem të posaçëm për furnizim me ujë në atë rajon, ndërtim të sallave sportive, rikonstruim të sallës sportive të qytetit, hapje të kopshteve…

Sipas kryeministrit, do të vazhdojë mbështetja për zonën industriale në Kumanovë për të cilën tashmë janë ndarë mjete, që është me rëndësi për investuesit.

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili mori pjesë në tribunë, tha se me një sërë masash dhe strategjish shteti po lufton kundër krimit dhe korrupsionit. Janë ndërmarrë aktivitete, reforma në siguri, në ndjekjen e komunikimeve, për parandalim të korrupsionit,…

“Do të sigurohet sistem i cili do t’i mbrojë edhe shtetin edhe qytetarët. Krijuam agjendë serioze, reforma thelbësore, sistem i cili do të garantojë mbrojtje të të drejtave të njeriut”, tha Spasovski.

Zaev dhe Spasovski u përgjigjën në pyetjet e qytetarëve, mes të cilëve edhe për sigurinë e fëmijëve-viktima të dhunës seksuale. Spasovski tha se do të analizohet kjo temë, është e mundur të formohet ombudspersoni i fëmijëve dhe të zhvillohet strategjia me disa institucione të përfshira.

Zaev paralajmëroi vendosje të një sistemi të qëndrueshëm shëndetësor.

Lidhur me duelin e nesërm televiziv me liderin e opozitës, Mickovski, bëri thirrje që kumanovarët ta ndjekin, sepse, siç tha, do të jetë transparent.