Zaev nuk do jetë ministër i Financave

Shkup, 26 qershor – Komisioni për parandalimin e korrupsionit ka vlerësuar se propozimi që kryeministri, Zoran Zaev të ushtrojë edhe funksionin e ministrit të Financave bie ndesh me Nenin 44 paragrafi 1 dhe 2 në Ligjin për parandalimin e korrupsionit, transmeton gazeta KOHA.

Nga Komisioni kanë theksuar se në rast se kreu i qeverisë zgjidhet ministër i Financave, ata do të detyrohen të marrin masa konkrete në bazë të kompetencave që dalin nga Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministri Zoran, Zaev i cili ka tërhequr propozimin e tij për të qenë ministër i Financave.

“Kushtetuta dhe Ligji për Qeverinë lejojnë që kryeministri të jetë edhe ministër, por pasi që janë hapur dilema dhe debati publik, duhet të dëgjojmë Komisionin shtetëror për parandalimin e korrupsionit, opozitën dhe ekspertët në publik”, tha Zaev dhe shtoi se ky propozim do të tërhiqet nga rendi i ditës. (koha.mk)