Ohër, 17 shtator – Më 30 shtator masovikisht votojmë “PËR” së bashku të shkojmë përpara, “PËR” Maqedoni evropiane dhe Ohrin evropian, porositi sonte kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev nga Ohri ku u mbajt tubimi qytetar në organizim të “Dil PËR Maqedoni evropiane”.
Zaevi nga foltorja para qytetarëve të Ohrit theksoi se në kohëra të vështira plot me sfida, patriotë të vërtetë janë ata të cilët ndërmarrin aksione. Si më 8 shtator të vitit 1991 kur vendi dhe ardhmëria bënë thirrje në aksion, në të njëjtën mënyrë referendumi më 30 shtator është thirrje në aksion dhe detyrë e jona patriotike.
“Patrioti i vërtetë e respekton të kaluarën e vendit të tij, por shikimi i tij është fuqishëm i fokusuar drejt ardhmërisë. Kjo është një mundësi historike, përgjegjësia është tek secili prej nesh. Mos mendoni se dikush tjetër do ta përfundojë punën. Le të mos dështojmë tani para fundit”, tha ai.
Kur bëhet fjalë për përfitimet nga anëtarësimi në dy organizatat më të fuqishme botërore BE-ja dhe NATO-ja, Zaev tha se me anëtarësimin në NATO, përjetësisht mbrohen kufijtë e shtetit tonë, në vend të jetës me ngërç për shkak të ardhmërisë së paparashikueshme, garantohet jetë më e sigurt për gjeneratat e ardhshme.
Ai theksoi se hyrja në NATO do të thotë më shumë investitorë, vende të reja të punës, paga më të larta për të gjithë. Biznesi, siç theksoi, dëshiron klimë të parashikueshme dhe stabile për investime, ndërsa kryeministri i Malit të Zi tregon se investimet në atë vend nga anëtarësimi në Aleancë janë dyfishuar.
Kryetari i Qeverisë theksoi se 29 shtetet anëtare presin referendum të suksesshëm, për ta ngritur direkun e 30-të para selisë së NATO-s, ndërsa Maqedonia do të bëhet anëtarja e plotfuqishme me të drejtë vote në aleancën më të madhe në botë.
“Sot sekretari i mbrojtjes së SHBA-së ishte këtu dhe na tha se 29 vendet anëtare të NATO-s obligohen dorë për dore me ne të na mbrojnë, na tha se kjo është vota më e rëndësishme në historinë e popullit tonë”, shtoi më tej Zaev.
Ai theksoi se pikërisht kjo gjeneratë tregoi se ka forcë dhe ka vizion të zgjidhë çështje të cilat askush ose nuk ka dashur ose nuk ka mundur t’i zgjidhë.
“BE-ja dhe NATO-ja janë para nesh me dorë të shtrirë, është koha të shikohemi në sy dhe të themi se mundemi. E di se mundemi pasi besoj në këtë gjeneratë. Më të rriturit disa herë treguan se dinë të sjellin vendime të duhura në momente të duhura. E di se edhe të rinjtë do ta bëjnë këtë dhe prandaj edhe njëherë u bëj thirrje të rinjve të përfshihen në vendimin e ri historik që është para nesh. Ky vendim tërësisht do ta projektojë rrugën tuaj të jetës, jini të stuhishëm dhe të zëshëm, ndërmerrni një hap konkret. Zgjedhja është shumë e qartë, përpara ose mbrapa, ardhmëri ose izolim, familje ose vetmi”, tha mes tjerash Zaev duke theksuar se çdo votë është e nevojshme dhe e rëndësishme e cila megjithatë çon deri në Maqedoni më të sigurt, me prospetitet dhe një të ardhme me të mirë për të gjithë.