Davos, 24 janar – Kryeministri Zoran Zaev sot nga Davosi porositi se para një viti në Forumin Ekonomik Botëror është hapur e ardhmja për Maqedoninë, pasi që ai dhe kryeministri grek Aleksis Cipras vitin e kaluar në pushimoren zvicerane i vendosën konturat e Marrëveshjes së Prespës, ndërsa pas një viti hapen dyert ekonomike për vendin.
“Saktë para një viti, këtu në Davos, me kryeministrin e Republikës së Greqisë, z. Aleksis Cipras, për herë të parë bëmë takim dhe e hapëm të ardhmen e vendit tonë. Arritën marrëveshje për të ardhmen e Maqedonisë. Për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme i kemi hapur portat për një të ardhme shpresuese dhe me perspektivë. Ja tani, pas një viti jam këtu me nënkryetarin për Çështje Evropiane të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Koço Angjueshev, dhe me ministrin e Ekonomisë, z. Kreshnik Bekteshin, të hyrë plotësisht në agjendën ekonomike. Këtu, sivjet i hapim dyert ekonomike për të ardhmen me perspektivë të vendit tonë, Republikën e Maqedonisë”, theksoi Zaev në deklaratën pas ditës së parë të punës në Forumin Ekonomik Botëror.
Kryeministri mori pjesë në panel diskutimin dje realizoi takime të shumta në suaza të agjendës politike dhe ekonomike të punës, gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik Botëror.
Theksoi se beson se kjo mundësi, që i jepet vendit si ftesë që për herë të dytë të jetë e pranishme në Davos konfirmon se Maqedonia është pjesë e botës demokratike globale dhe pjesë e të gjitha planeve të ekonomive të cilat bota i zhvillon dhe i planifikon në periudhën e ardhshme.
Theksoi se janë realizuar takime me përfaqësues të kompanive të Ballkanit Perëndimor, të Evropës Juglindore, por edhe të Lindjes së Afërt, ndërsa, siç shtoi, shpresojnë në takime madje edhe me kompani nga Kina, Koreja, Japonia dhe SHBA-ja.